Me pjesëmarrje të 120 bizneseve prodhuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi, ka nisur sot Panaxhyri treditor i Gjilanit, i cili është organizuar nga Komuna e Gjilanit,
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës dhe Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë.
Hapjen zyrtare të Panaxhyrit e ka bërë kryetari Lutfi Haziri, u.d. e ministres së Tregtisë, Arbëreshë Krasniqi dhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Qemal Minxhozi.
“Ky është Panaxhyri më i madh regjional që e kemi organizuar falë mbështetjes së madhe të ministres në detyrë të Tregtisë dhe Industrisë dhe ambasadorit Minxhozi. Do të shkojmë duke e zgjeruar, jo vetëm në qytet, por edhe me biznese të tjera në mënyrë që ta rikthejmë gjithë atë nostalgji që e kemi pasur. Kjo u mundëson bizneseve vendore dhe atyre të regjionit që të krijojnë ura bashkëpunimi në funksion të zhvillimit lokal ekonomik”, ka thënë në fjalën e rastit kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, duke njoftuar se në vitin e ardhshëm Gjilani do të bllokohet nga veturat për t’i dhënë jehonë edhe më të madhe kësaj ngjarje.
U.D. e ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Arbëreshë Krasniqi, tha se ndihet mirë që Komuna e Gjilanit është vendi që po i bashkon bizneset rajonale, duke shtuar se kjo mundësi e bashkëpunimit e fuqizon ekonominë e Kosovës.
“Pa asnjë dyshim Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka mbështetur funksionalizimin e këtij panairi dhe po e ritheksoj se do të vazhdojmë mbështetjen edhe në panairet e radhës për bizneset që i japin kuptim ekonomisë sonë. Kjo pjesëmarrje e madhe e bizneseve tregon se kanë pasur nevojë të takohen dhe të shkëmbejnë përvojat e angazhimet e tyre”, tha Krasniqi.
Ndërkaq, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se për kuriozitet, 42 kompanitë nga Shqipëria për herë të parë vijnë sot në Gjilan.
“Ishte një mendim i përbashkët që në Gjilan duhet të mblidhemi, jo thjeshtë për të demonstruar produktet tona më të mira, por për të demonstruar vullnetin që ky panair të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme me një përkushtim edhe më të madh për të arritur atë që duam, shkëmbimi i përvojave të bizneseve. Urime dhe suksese”, është shprehur ambasadori Minxhozi.
Përpos promovimit të prodhimeve vendore, Panaxhyri Gjilani 2018 ka karakter edhe kulturor e sportiv, ku të enjten në ora 10:00 bëhet hapja e Panairit të Sportit para teatrit të qytetit, për të vazhduar në ora 15:00 me turneun në futboll me pjesëmarrje të klubeve nga Gjilani, Prishtina, Tirana e Tetova.
Panaxhyri Gjilani 2018 mbyllet të premten në ora 15:00.