(2L ONLINE) – Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik në Gjilan, sot edhe zyrtarisht ka shpallur të mbyllur panairin e prodhimeve vendore të regjionit të Gjilanit “Gjilanit 2014”, duke informuar të gjithë prodhuesit dhe qytetarët se ky do të jetë një panair tradicional me një shtrirje edhe përtej kufijve shtetëror gjatë viteve të ardhshme.
Me këtë rast drejtori i Ismail Januzi, ka thënë se panairi i prodhimeve vendore ka tejkaluar të gjitha parashikimet dhe pritjet e drejtorisë sonë, për nga aspekti i pjesëmarrjes por edhe të vet prodhuesve në aspektin e shitjes. Prodhuesit janë ndarë shumë të kënaqur me shitjen e produkteve që i kanë bërë në këto dy ditë sa ka zgjatur panairi.
“Është një panair që do të jetë tradicional tash e tutje. Në vitin e ardhshëm ky panair do të ketë një shtrirje më të madhe. Nuk do të fokusohemi më vetëm në prodhuesit e regjionit të Gjilanit, por do të jetë panair ku do të ekspozohen prodhime nga gjithë Kosova dhe jashtë kufijve të saj duke përfshirë edhe Luginën e Preshevës dhe Kumanovë me rrethinë. Identitetin e Gjilanit në biznes, po punojmë shumë që ta kthejmë në favorin e zhvillimit dhe kjo po bëhet me një punë te vazhdueshme. Ky ishte një aktivitet i organizuar nga DZHE, në bashkëpunim me Komisionin Europian përmes Qendrës Rajonale për Marketing dhe UNDPS përmes CDF-së, të cilët i falënderojmë për mbështetjen. Panairet kanë rëndësinë e vet, vetëm për këto dy ditë janë krijuar ura lidhëse të qëndrueshme të bashkëpunimit mes vetë bizneseve të këtij regjioni, ndërsa në të ardhmen ato lidhje do të bëhen edhe me bizneset përtej kufijve”, ka thënë Januzi, duke informuar se në këtë panair kanë marrë pjesë mbi 100 prodhues të këtij regjioni duke përfshirë edhe prodhuesit nga komunitetet pakicë.
Januzi poashtu ka bërë të ditur se pos këtij panairi, do të ketë edhe panaire të tjera siç është kërkesë e bizneseve që të ketë një panair të bletarëve, por do të ketë edhe panaire të tjera të agro-biznesit dhe sektorëve të tjerë.
“Deklarimet e bizneseve pjesëmarrëse në këtë panair ishin se ky ishte një “infuzion” i tyre”, ka shtuar drejtori për Zhvillim Ekonomik Ismail Januzi. /2L ONLINE/