(2L ONLINE) – Panairi i Librit, i 42 me radhë, që u mbajt në Gjilan, për tri ditë rresht, ndonëse vlerësohet si një ngjarje e rëndësishme kulturore, këtë vit ishte tejet i “ftohtë”, me më pak shtëpi botuese, me më pak vizitorë, e sidomos me më pak blerës/lexues të librit.
Ndonëse Gjilani shpesh herë përmendet edhe si qytet i kulturës, i artit, i letërsisë e i librit, panairi i sivjetmë do të duhej të jetë një shembull i mirë që për çfarëdo ngjarje që është tradicionale, të mendohet shumë më herët, e jo vetëm kur të vije koha e mbajtjes. Po ashtu përherë edicioni i fundit dhe ato të mëhershëm duhet të jenë mësim për organizatorin se si duhet eliminuar lëshimet-defektet dhe si duhet të futet risia, herën tjetër.
Pra, këtij aktiviteti tradicional i duhet patjetër një formatizim dhe një plan tjetër për të bërë një riorganizim më të mirë. Në të kundërtën, nëse nuk ndërron gjë herën tjetër, atëherë del se mbahet sa për sy e faqe, vetëm për ta vazhduar traditën, për të promovuar politikën ditore, apo për interes të ndonjë shtëpie botuese, që di të gjendet mirë edhe në këto situata, dhe ia shet librat me shumicë, institucionit të bibliotekës.
Ndoshta, konkurrenca e librit elektronik, ose e internetit në përgjithësi e ka bërë të veten, ndoshta, interesimi për librin është zbehur shumë, për faj të sistemit arsimor, për faj të qasjes që e kanë institucionet përkatëse ndaj librit.., megjithatë janë edhe plotë arsye tjera pse duhet ndërruar format kjo ngjarje.
E ka të tillë që vlerësojnë se edhe koha e mbajtjes mund të luaj një rol të rëndësishëm.
.
Fadil Kajtazi njëri prej frekuentuesve të këtij Panairi pranon se është i zbehtë panairi i sivjetmë dhe se pikërisht ai vlerëson se një ngjarje e tillë duhet të zhvendoset në muajt tjerë më të ngrohtë, shembull në korrik, ku këtu i kemi edhe bashkatdhetarët tanë, sepse ofrimi i librave të rinj, sidomos për ata që janë jashtë atdheut, është më se e rëndësishme Ai po ashtu thotë se kjo do të ndikonte edhe në masivitet dhe kjo do të ishte në interes edhe të vet shtëpive botuese, që sigurisht do të vinin në numër më të madh, por edhe të pasuruar me sa më shumë tituj dhe me tituj më të ri.
Agim Ymeri, një tjetër adhurues i librit, mendon se Panaire të tilla do të duhej të ishin vendtakime që bëjnë bashkë në një vend sa më shumë botues, krijues dhe lexues, por edhe për t`iu ofruar këtyre të fundit një mundësi që t`i blejnë titujt më të ri me çmime më të lira.
Përndryshe, i mbetet Drejtorisë Komunale për Kulturë dhe Bibliotekës Rajonale në Gjilan ta kenë parasysh herëve të tjera t’i bëjnë të gjitha angazhimet e duhura që një panairi me traditë dyzetedyvjeçare ta bëjnë më së miri. Gjilanit njihet me këtë organizim që e ka mbajtur për herë të parë qysh në vitin 1972 dhe e ka vazhduar deri në ditët e sotme, andaj edhe duhet t’ia bëjmë hyzmetin që të bëhet sa më mirë! /2L ONLINE/