Këtë vit Kosova shënoi njëzetvjetorin e çlirimit, jo si datë unike, por secila komunë veç e veç. Edhe ashtu, kësisoj jemi çliruar. Njëzetvjetori i çlirimit, Kosovën e gjen si njëmbëdhjetë vjeçare si shtet. Jemi të prirë për akuza, madje veç akuzojmë, ndërsa nuk e bëjmë as përpjekjen më të vogël për ta ndryshua gjendjen, për ta bërë ndryshe. Deshëm ose jo ta pranojmë, Kosova ka ndryshua shumë, madje përtej pritjeve tona, edhe të ndërkombëtarëve.
Shkruan: Ardian Azemi
Sot Kosova është e ndërtuar, ndërsa para jo më shumë se njëzetë viteve, ka qenë totalisht e djegur dhe shkatërruar. Kosova ka ndërtuar rrugë me standarde të larta, madje disa më të bukurat në Ballkan. Kemi shkolla të reja, objekte banesore që nuk i gjen dot as në shtetet e zhvilluara, po ndërtohen spitale, po kryhen operacione të rralla në institucionet tona shëndetësore, nuk ka pritje në shërbime mjekësore, në administratë publike etj.
A është e mjaftueshme vetëm kjo..? Sigurisht që jo. A ka pas mundësi të bëhet edhe më shumë..? Natyrisht që po. Pse nuk është bërë, çka ka ndikuar..? I bindur jam që faktori njeri! E thash edhe në fillim të këtij shkrimi se jemi të prirë veç për ta akuzua tjetrin, pa bë gjë vet. Akuzojmë institucionet, liderët, njerëzit në administratë publike, akuzojmë biznesmenët, punëtorët e pompave të benzinës, kamerierët, bujqit, arkitektët, mjekët, mësuesit, të gjithë, pa dallime. Po mirë, nga na erdhën këta njerëz, a mos ndoshta nga Bangladeshi..? Jo bre, këta janë nga brumi i njëjtë, janë dalë nga mesi ynë, jemi të njëjtë, vetëm fizionomia na bënë të dallojmë, kurrgjë tjetër.
Njëzetë vjet janë të mjaftueshme për ta njohur vetveten, për ta kuptua kush jam. Secili nga ne, nuk kemi bërë diçka të madhe sa me i dhënë të drejtë vetës për ta akuzua tjetrin për mospunë, apo për dështime. Punët e mira nuk duam ti kemi temë, sidomos kur ato i bënë tjetri. E urrejmë me shpirt punën e mirë të cilën e bënë tjetri, ai që nuk mendon si unë, ai që mendon ndryshe nga unë, ani pse suksesi i tjetrin ndikon direkt në përmirësimin e jetës sime. Le të shkoj në dreq të mallkuar edhe mirëqenia ime, nëse nuk më takojnë mua meritat për një sukses.
Ne si shoqëri, jemi shumë më mirë sesa e meritojmë. Kemi heqë dorë me vetëdëshirë nga rruga për të qenë mirë. Çdo ditë ne angazhohemi me ia shkatërrua të ardhmen vetës, sepse nuk po arrijmë ta ndryshojmë vetveten. Ne jetojmë me të njëjtën mendësi; po se bëra unë, mos ta bëj as tjetri, dhe kështu vitet kalojnë, gjeneratat ndërrohen, ndërsa situata dhe mentaliteti mbeten të pandryshuara.
Inatet politike, një opozitë që nuk i intereson aspak mirëqenia e popullit, jeta e të cilit është në shpërputhje të plotë me mënyrën e jetesës së tyre, dhe fatkeqësisht, ndikimi i shpejtë i të keqes në popull, e kanë sjell Kosovën këtu ku është. Si popull, nuk po arrijmë ta kuptojmë saktë se interesi ynë kolektiv, nuk ka qenë dhe nuk është fare temë e diskutimeve në tavolina të partive që nuk zgjedhin formë për ta pengua funksionimin e shtetit, qoftë i mirë ose më pak i mirë funksionimi. Kosova nuk është aq keq sa këta po e paraqesin. Secili nga ne, ani pse nuk e themi të gjithë, e di saktë se këta që sot lypin zgjedhje të parakohshme, nuk do ta bëjnë as kështu siç është ka bënë kjo qeveri, mos të flasim për një qeverisje më të mirë. I njohim!