Pala serbe sërish nuk e ka sjellur listën e personave që dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës dhe si pasojë e kësaj takimi dyditor në kuadër të dialogut teknik nuk solli asnjë lëvizje të re.
Kjo ishte edhe një arsye përse delegacionet nga Prishtina mbajtën vetëm takime dypalëshe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, ndërkohë që brenda këtyre dy ditëve nuk ndodhën takimet e parapara trepalëshe. Ky raund ishte paraparë që të trajtojë çështjet e drejtësisë dhe sigurisë në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, transmeton rtk.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri e cila kryeson me delegacionin që merr pjesë në dialogun teknik ne mes të Prishtinës dhe Beogradit, ka deklaruar në fund të takimit se homologëve evropianë iu përcolli se ky raund i bisedimeve nuk ka mundur të jap rezultatet e pritura, ngase hapat tjerë rreth integrimit ndërlidhen me dorëzimin e kësaj liste.