Kryetari “mendjendritur” i Bujanocit në një intervistë ekskluzive për portalin Titulli.com, paska folur për integrimin e shqiptarëve në organet shtetërore, për zhvillimin ekonomik të rajonit dhe për funksionimin e pushtetit lokal në Bujanoc, për problemin e teksteve mësimore dhe mundësinë e përdorimit të teksteve nga Kosova. Ai ka folur për shumëçka, veç për përgjegjësinë e vet s’paska folur.
Lidhur me punësimin e shqiptarëve në organet shtetërore Arifi paska thënë: “Para disa ditëve kam pasur takim me zëvendësin e ombudspersonit, i cili duhet t’i mbrojë të drejtat e pakicave, por kam njoftuar edhe ambasadorin e Bashkimit Evropian, ambasadorin e OSBE-së lidhur me këtë çështje…. Mendoj këtu se edhe qeveria e Republikës së Kosovës duhet të bëjë më shumë, pasi është në bisedime në Bruksel me qeverinë e Serbisë. Atje është krejt e kundërta, qeveria e Kosovës ka shprehur dëshirë që të kyçë pakicën serbe në organet shtetërore, në anën tjetër, shqiptarët këtu kanë shprehur vullnet që të kyçen në organet shtetërore, por qeveria e Serbisë nuk ka vullnet, nuk dëshiron t’i ketë shqiptarët aty”.
Arifi, një doktor i shkencave juridike, na bën me dije se tek para disa ditëve e paska njoftuar zëvendësin e ombudspersonit, ambasadorin e BE dhe të OSBE-së pë faktin se shqiptarët s’janë të përfshirë në institucionet shtetërore.
Për habi fakti se çka ka pritë Arifi në këto tri vjet e gjysmë sa është në krye të komunës dhe në ato dy mandatet e mëhershme për ta ngritur këtë çështje. Ai kërkon nga Kosova ta kushtëzojë Serbinë lidhur me integrimin e serbëve atje. Në rregull kjo, por pse vetë Arifi, aty ku e krijoi shumicën s’është në gjendje për ta kushtëzuar qeverinë pasi bëri kyçjen e serbëve lokal në pushtetin e tij, por, u ngut si “i trenti për kos” që sa më shpejtë të marrë serbët në pushtet për t’i lënë anash ata që në këtë intervistë i quan “vëllezër’. Paska pritë që kushtëzimet ndaj Beogradit që është dashtë t’i bëjë ai t’ja kryej Kosova.
Ironi kjo e tepërt, ndaj votuesve shqiptarë, sidomos ndaj atyre që Arifit ja kanë dhënë votën.
Sa i përket integrimit të shqiptarëve në organet shtetërore, ky proces filloi në vitin 2002 kur PVD filloi qeverisjen me komunën e Bujanocit dhe u intensifikua në vitet 2008 – 2012, por u bllokua plotësisht që nga viti 2012 e deri më sot, pikërisht me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet.
Tani shtrohet pyetja: Pse serbët si komunitet që pësuan humbjen më të madhe elektorale që nga viti 2002 u shpërblyen me këtë përqindje kaq të lartë dhe të padrejtë karshi komunitetit shqiptar si fitues bindës i këtyre zgjedhjeve lokale? Pse ata nuk u kushtëzuan me integrimin e shqiptarëve në organet republikane, ashtu siç ishin kushtëzuar me marrëveshjen e vitit 2010? Pse nuk u përdor ky mekanizëm krejt logjik dhe i nevojshëm nga Partia Demokratike për ta përmirësuar këtë gjendje të shqiptarëve? Si të kërkosh nga BE, OSBE dhe Kosova që t’a kushtëzojnë qeverinë serbe kur këtë gjë nuk e ka bërë kryetari Arifi me rastin e lidhjes së koalicionit me partitë serbe? A nuk është kjo largim i përgjegjësisë nga vetvetja dhe hedhje e fajit tek të tjerët?
Rreth unitetit shqiptar, Arifi, shpreh keqardhjen që “shqiptarët nuk janë unik edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, edhe këtu. Unë kuptoj nganjëherë që opozita duhet të sulmojë pozitën , shton ai, “për të çuar një çështje përpara, por kur janë interesat e përgjithshme duhet të jemi së bashku”. Ai shpreh keqardhjen edhe për faktin se kur ai ka “ftuar opozitën shumë herë në takime të cilët kanë qenë në interes të shqiptarëve” ata “nuk kanë ardhur, e në anën tjetër kur i fton ndonjë përfaqësues i qeverisë së R. Serbisë ata vijnë, në këtë ndërtesë dhe mbajnë takime, kurse te kryetari i komunës nuk vijnë”.
Por Arifi harron apo nuk i di rregullat elementare të demokracisë parlamentare. Roli i Opozitës është të japë vlerësime, e pse jo edhe kritika për punën e pozitës. Por, parimi i parë është që sikurse pozita edhe opozita janë pjesë të pandashme të një shoqërie, dhe ato bëjnë tërësinë bashkarisht, por kjo për një opozitë që duhet t’i pranohet roli i saj.
Arifi kërkon lojalitet nga opozita, anëtarët e të cilës i ka përjashtu nga puna edhe kur gjykata i ka kthyer në punë, i ka dënuar me 10 e 20 për qind në rroga për 12 muaj të vitit rresht, për 3 vjet e gjysmë pandërprerë, ka deklaruar, ai vet, apo militantët e tij se “do ti çojë në Belgjikë”, i ka çu me fshi gratë shqiptare në fshatrat serbe, për shkak të bindjeve politike, nuk ka përfillë asnjë propozim konstruktiv të opozitës dhe po shpërfillë për dy vjet me radhë iniciativën për Sheshin e qytetit, ka bërë pakte të shumta politike për ta shkatërruar opozitën, në komunën të cilën e drejton nuk i ka lënë vend opozitës në asnjë komision- edhe pse rregullat e parlamentarizmit këtë e kërkojnë, e ka përjashtuar opozitën edhe në Këshillin nacional edhe pse ky duhet të jetë organ që i takon gjithë shqiptarëve.
Jo kryetar, nga kjo opozitë mos kërko lojalitet, sespe ajo nuk ndërtohet në këtë mënyrë dhe këtë formë. Opozita është aset shumë i rëndësishëm i demokracisë parlamentare e cila mund ta ndihmoje zhvillimin e parlamentarizmit, por duke e respektuar atë dhe propozimet e saja konstruktive, e jo duke e luftuar për katër vite radhazi.
Ti ‘ske dashur bashkëpunim shqiptar, sepse me veprimet e tua e ke përçarë skajshmërisht politikën shqiptare për postin e krimbur që e mban, derisa ke bashkuar në një vijë politike gjithë serbët, nga të cilët po pretendon se po mbrohesh. Mos e bëj dyftyrëshin, por mbaje përgjegjësinë dhe dili zot veprimeve tua. Edhe pse edhe në mesin e anëtarëve tu që ta “kanë pirë çorbën” ka njerëz që e dinë se çfarë je.
Sa i përket PVD-së, ajo gjithmonë ka treguar unitet sa i përket çështjeve me rëndësi kombëtare qoftë edhe në rastet kur aspak nuk është konsultuar nga partitë që janë në pushtet në Preshevë dhe Bujanoc, siç ishte rasti me çështjen e Lapidarit, dhe është e gatshme gjithmonë që t’i ndihmojë ç’ështjet me rëndësi kombëtare. Por PVD nuk mund të përdoret, sidomos në Bujanoc, vetëm atëherë kur kjo gjë i konvenon pushtetit lokal në Bujanoc, e as pak të mos merren parasysh propozimet dhe iniciativat e saja në KK të Bujanocit, siç është rasti me propozimin e PVD-së për ndërrimin e emërtimit të Sheshit Karagjorgje Petroviq në “Skenderbej”.
Cinizmi i Arifit s’ka skej kur folë për arsimin. Ai ankohet për gjendjen e rëndë në arsim, edhe pse fajtori kryesorë është ai dhe apetitet e militantëve të tij që po shkatërrojnë shkollat shqipe. Po kryetar, për tekstet i ka fajet Serbia, po pajtohemi, por bëhu i sinqertë dhe thuaj kush i ka fajet për “ëeekend drejtorat”.
As Serbia as Rusia nuk të kanë kërkuar që në mënyrë arbitrare të fusësh gjithë shkollat shqipe në masa të dhunshme. Këtë e ke bërë ti e askush tjetër. Sa i përket çështjes së arsimit që nga viti 2012 e këndej ky pushtet e ka katandisur si është më keq. Shkarkimi së pari i Këshillave të shkollave në mënyrë krejtësisht të paligjshme, çka u dëshmua edhe nga vendimet gjyqësore, shkarkimi pandërprerë i drejtorëve dhe emërimi i u.d. të drejtorëve vetëm nëpër shkollat shqipe, çka i hedh hije të keqe se gjoja veç shqiptarët nuk po ditkan të udhëheqin por je dhe serbët, punësimi i militatëntve partiak si mësimdhënës duke iu ndarë një normë në tre-katër persona, mungesa e teksteve mësimore dhe problemet me planprogramet shkollore si dhe politizimi i skajshëm i shkollave shqipe tregojnë se sa i madh është dështimi i këtij pushteti në këtë fushë. Pse i bëre këto, kryetar? Për të dëshmuar të fortin e pushtetit në dëm të arsimit, në dëm të fëmijëve tanë?
Aspak gjendja më e mire nuk është as në Shtëpinë e shëndetit në Bujanoc. Që nga viti 2012 kur Partia Demokratike ia fali këtë institucion shëndetësor partive serbe në koalicion, të vetmin nën administrimin e pushtetit lokal, gjendja aty u keqësua tejmase. Nënçmimi i pacientëve shqiptarë nga sjellja e pahijshme e një pjese të personelit serbë, punësimi me çelës 1-1 ku shqiptarët dalin si humbës duke marrë parasysh gjendjen katastrofale në strukturën nacionale të të punësuarëve si dhe shumë problem që ekzistojnë aty kanë bërë që shumica e shqiptarëve mos ta ndjejnë Shtëpinë e shëndetit si të tyren. Fakti se tolerohet që djali i Stojança Arsiqit ta luaj rolin e sherifit është përgjegjësi e jotja, mos u arsyeto për këtë.
Sa i përket zhvillimit ekonomik, aty ku Arifi pretendonte se ishte ekspert, ai është korrekt dhe pranon që “ende nuk kemi asnjë investitor të huaj në këto komuna”, por menjëherë vazhdon shfajsimin se edhe “kryetari i komunës së Prishtinës dhe ai sulmonte qeverinë se qeveria hap vende të reja të punës e jo pushtetet lokale”, duke vazhduar me fjalinë “. Pushtetet lokale me ligj nuk kanë mundësi të hapin kompani apo fabrika, por kjo është në kompetenca të qeverisë së republikës së Serbisë”.
Arifi, pa fije turpi i ikë përgjegjësisë së premtimeve të 2012-së, për shkak të cilave, kishte ardhur në pushtet. Ai as edhe një fjalë për premtimin e 2 mijë vendeve të punës apo fabrikën e Dobrosinit nuk e ka thënë.
Bile, ata që i kanë përcjellë në vazhdimësi deklaratat e Arifit në këtë mandat qeverisës, e dijnë se ai prej 2 mijë vendeve të punës, që në vitin e parë të mandatit i kishte sugjeruar militantëve të vet “bleni dhi se djathi shtrenjtë”, më vonë doli me idenë e “grumbullimit dhe kultivimit të këpurdhave, e kur u kthy nga Turqia tha “do të mbjellim qershia”.
E çka u bo me “marrëveshjen strategjike” me komunën e Mark Gegaj apo edhe atë të bashkëpinimit me Maqedoninë Perëndimore.
“Tash është ekonomia e tregut, nuk është koha e komunizmit që shteti duhet të mendojë që të jenë regjionet e zhvilluara” e thot me një vend Arifi. E pse, më 2012 çfarë ekonomie ishte, socialiste, pse atëherë nuk i tregojshe njerëzve të vërtetën por manipulojshe me pozitën e rëndë sociale të qytetarëve.
Nëse ska investitorë, pse si harxhove 720 mijë euro në bujqësi, por, i çove në një rrethrrotullim? Këto janë pyetje që sot a nesër do të duhet të përgjigjesh.
Partia Demokratike i fitoi zgjedhjet pikërisht në premtimin se do të hapin 2,000 vende pune të reja. Tani shtrohet pyetja se si po ndodhë që krejt në fund të mandatit kryetari i komunës nuk e paska ditur që me ligj komuna nuk kanë mundësi të hape kompani dhe fabrika!!! Ajo që është dashtë të bëjë ky pushtet lokal, e që e ka premtuar me aq pompopozitet, ka qenë sjellja e investitorëve, e jo të lejojë që këta investiture të shkojnë në Vranjë e Vlladiçin Han ku kanë hapur me mijëra vende të reja pune, e ndër ta edhe një kompani turke.
Shpërlarja e duarve nga dështimi që Bujanoci të ketë vende të reja pune nuk amneston nga përgjegjësia. Përgjegjësia i takon pushtetit i cili u kujdes më shumë që të bëjë investime në asfalltime dhe rrethrrotullime se që arriti të sjellë së paku një investitor serioz në komunë. Si mund të fajësohet biznesi për moszhvillim ekonomik i cili po bënë të pamundurën për të mbijetuar?! Kjo nuk pinë ujë, aspak, as te qytetarët e aq më pak te biznesi.
“Unë këtë vit e vlerësoj shumë pozitiv, pasi ne në këtë vit kemi bërë një herë rebalancin e buxhetit. Jemi në përgatitje e sipër dhe në javën tjetër do të bëjmë rebalancin e dytë për këtë vit: thotë me krenari Arifi. E si mund të quhet i sukseshëm një vit në të cilin nuk është sjellë asnjë investitorë, në të cilin auditori shtetëror, në Buxhet ka gjetur dhjetëra keqpërdorime. Krenari na qenka që këtë vit dy herë do të bëhet rebalanci?!
Nëse Arifi i referohet gishtave edhe mund ta quaj krenari, por, në fakt, kur detyrohesh që shpesh ta ndërrosh Buxhetin si akt planifikues, del se s’ke ditë mirë me parapa situatën, pra kjo është dështim jo krenari, kryetar.
Ai nuk e len pa u arsyetuar edhe kësaj radhe me “borxhet e mbetura: edhe pse edhe tash mashtron opinionin lidhur me Direkcionin.
Por, mos u largo nga tema. Kush të detyroi që vetes, Stojançës dhe Jonuzit t’ia rritësh rrogën për 40 për qind edhe atë në kohën kur punëtorëve, për shkak të bindjeve politike ja ke zvogëluar prej 10 deri në 20 për qind? A e ke hallal atë rrogë, kryetar. Sepse jo rrallë i ke akuzuar edhe bashkëpunëtorët e tu se nuk e marrin rrogën hallal.
Kujton që të tjerët janë naivë e s’i dinë gjërat. Hallali edhe ti janë dy botëkuptime krejtësisht të kundërta. Këtë e dinë gjithë, edhe ata që janë pas teje. E thonë këtë në biseda private e do ta shohësh se si distancohen nga ty kur t’i vijë puna pisk.
Edhe një, pushteti nuk mund të lavdërohet me të hyra të mëdha që vijnë nga taksapaguesit kur këto taksa ngulfasin qytetarin e varfër dhe biznesin për shkak të lartësisës së tyre. Përkundrazi, taksat duhet të jenë të përballueshme për qytatarin, e sidomos për biznesin të cilit i nevojiten lehtësime fiskale e jo ngulfatje siç po ndodhë tani.
Duke i përgjigjur pyetjeve rreth shkeljeve të Buxhetit, Arifi i quan akuza të opozitës.
Në fakt, nuk janë akuza të opozitës z kryetar. E din edhe ti këtë. Janë konstatime të atyre që ti “vetë i ke ftuar me inspektu buxhetin”. Nëse i ke ftuar ti pse i fshehe faktet, pse nuk e publikove raportin e Revizorit shtetëror? Apo se hesapi i “të dieles nuk të ka dalë të hënën”, siç thotë një fjalë popullore.
Opozita vetëm ka bërë punë që ti është dashur ta bësh, ka njoftuar opinionin dhe parregullsitë në menaxhimin e buxhetit nuk i ka konstatuar opozita, por organi përkatës shtetëror. Në atë raport theksohet për shkelje të shumta sa i përket shkeljes së procedurës në prokurimet publike, apo në moszhvillimin fare të prokurimeve publike kur për këtë gjë obligon ligji, e ti njihesh si “ekspert” i prokurimeve dhe “menaxhimit” të buxhetit.
Shkruar nga Ismail Pajaziti- Partia për Veprim Demokratik në Bujanoc