/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga drejtorët komunalë, kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku Rexhepi, si dhe nënkryetari Rexhep Kadriu, ka mbajtur të hënën debatin me qytetarë, ku ka prezantuar të arriturat e këtij viti, sukseset dhe sfidat si dhe planet për vitin e ardhshëm, që në të vërtetë ishte përmbyllje e një cikli të gjerë takimesh me publikun, të cilat janë mbajtur nëpër lokalitete të ndryshme. Por ky debat dukej se nuk kishte zgjuar kërshërinë e qytetarëve për të marrë pjesë në të, pasi numri i të pranishmëve ishte i vogël, rreth 60-70 pjesëmarrës. Por, numri i qytetarëve të pranishëm mund të thuhet se ishte simbolik, nëse llogarisim se të pranishëm në sallë ishin plotë zyrtarë komunal, shërbyesit civil, anëtarë të Kuvendit Komunal dhe bashkëpartiakë nga strukturat e partive që janë në pushtet.
Megjithëkëtë, para të pranishmëve, kryetari i Komunës Lutfi Haziri ka thënë se në këto tri vite të qeverisjes së tij, është investuar shumë në infrastrukturën publike, që ka qenë kërkesë kryesore e qytetarëve, si në dëgjimet publike, ashtu edhe në takimet javore me ta.
“Vetëm sivjet, investimet në infrastrukturën publike, ku janë përfshirë të gjitha lokalitetet, arrijnë vlerën 5.6 milionë euro, por investime edhe më të mëdha do të ketë vitin tjetër”, ka thënë Haziri.
Për më tepër, kryetari Haziri tha se qeverisja e tij ka vendosur një balancë të investimeve qytet-fshat.
Përveç infrastrukturës publike, investimet tjera më të mëdha, 3 milionë euro, i ka marrë arsimi, ku, siç ka thënë Haziri, ka probleme me ndarjen jo të drejtë të buxhetit, përkatësisht ndarjen jo të dejtë të normave në arsim.
Pasi i ka përmendur projektet konkrete që janë realizuar, ose që janë në proces e sipër në këtë sektor, siç është çerdhja në lagjen “Dardania”, palestrat e sporteve për shkollën “Abaz Ajeti” dhe fshatin Pogragjë si dhe projekte të tjera, Haziri ka thënë se me ndërtimin e objektit të ri shkollor në fshatin Haxhaj, vitin e ardhshëm, përmbyllet cikli i investimeve në infrastrukturën shkollore.
Një sektor tjetër që ka pasur vëmendje të madhe sivjet, ka qenë kultura, rinia dhe sporti, sektarë këta për të cilët janë ndarë 120 mijë euro subvencione, pa përfshirë teatrin. “Gradualisht po i rritim investimet në këtë sektor, për të stabilizuar sa më mirë kulturën në përgjithësi dhe teatrin, në veçanti”, ka thënë kryetari i Komunës.
Bujqësia po ashtu është subvencionuar me prioritet, sidomos sektori prodhues dhe familjet bujqësore, ku sivjet janë investuar 1.6 milion euro, duke përfshirë mjetet nga buxheti i Komunës dhe Ministria. “Synimi ynë është që shpenzimet e familjeve bujqësore t`i zbresin në zero”, ka thënë Haziri.
Shëndetësia primare, po ashtu ka qenë një sektor shumë i suksesshëm këtë vit. Përveç fshatit Llashticë, ku vitin e ardhshëm do të ndërtohet ambulanca, në lokalitetet tjera janë kryer investimet sa i përket infrastrukturës. Qendra e re e Mjekësisë Familjare, do të jetë një investim tjetër i madh që fillon këto ditë, përballë Spitalit Regjional dhe pos që do të përmirësojë shërbimet, do të mundësojë edhe qasje më të lehtë të qytetarëve në sektorin dytësor të shëndetësisë, ka thënë ndër të tjera kryetari Haziri.
Ai ka prezantuar në pika të shkurta edhe planet për vitin e ardhshëm, kur investimet do të shkojnë në 29 milionë euro.
Së shpejti pritet fillimi i projektit për trajtimin e ujërave të zeza, përmes kredisë nga qeveria austriake, në vlerë 13 milionë euro, për të zgjidhur një nga problemet më jetike të kësaj komune, pastaj ndërtimi i rrugës Gjilan-Kllokot, e cila do të bëhet sipas parametrave të rrugës hyrëse-dalëse Gjilan-Bujanoc, rruga Gjilan-Prishtinë, deri te liqeni i Livoçit, projekte këto që do të kenë trotuare, ndriçim dhe gjelbërim.
Po ashtu do të asfaltohet edhe rruga për Vërbicë të Zhegocit, lokalitet ky nga do të kalojë edhe autostrada për Gjilan, që këtë regjion e lidh përfundimisht me korridoret e mëdha ndërkombëtare.
Haziri ka thënë se do të punohet për të kompletuar infrastrukturën e nevojshme në çdo fshat, sikurse tashmë është bërë në disa prej fshatrave të kësaj Komune. Ai ka thënë se ka kërkesa të ndryshme nga qytetarët, sa u përket investimeve, por ka premtuar se përparësi do të kenë zonat e banuara.
Gjilani planifikon ta organizojë sërish konferencën e donatorëve, në fund të dhjetorit, ose në janarin e vitit të ardhshëm, për të rikthyer atë në tavolinën e donatorëve të mëdhenj, si nevojë për zhvillimin e Komunës.
Kryetari Haziri është përgjigjur edhe në pyetjet e qytetarëve për investime, duke thënë se të gjitha kërkesat do të merren parasysh sipas prioriteteve dhe përgjigja e tij ka gëzuar veçmas banorët e Vërbicës së Zhegocit, ku vitin e ardhëm do të asfaltohet rruga.
Në pyetjet tjera janë përgjigjur edhe drejtorët Naser Korça (Shërbime Publike), Nazim Gagica (Administratë e Përgjithshme) dhe të tjerë. /2L ONLINE/