Komuna e Gjilanit bashkë me Rotary Club Gjilani organizoi një “Mbrëmje humanitare” për rritjen e mjeteve financiare për bursat e studentëve. Ajo mbrëmje në RTK ishte e mirëseardhur dhe e gëzueshme për shumë studentë por edhe për shumicën e qytetarëve. Në bazë të telefonatave dhe raportimeve nga dy drejtuesit e saj, u arritën shuma të konsiderueshme parash dhe mund të themi se ishte mbrëmje e suksesshme humanitare.
Shkruan: Flurim Arifi
Personalisht, e duartrokitëm shumë këtë iniciativë, e cila sadopak, ndihmon studentët skamnorë, studentët talentë etj. Nuk ka më njerëzore se sa të ndihmosh studentët, të cilët janë në rrugëtimin e tyre shumë të vështirë për t’u përgatitur për tregun e punës dhe prindërit e të cilëve, janë të papunësuar, ose janë të punësuar, por sërish jetojnë në varfëri; ose janë studentë jetimë etj.
Bamirësia ndaj studentëve, njerëzve të pastrehë, njerëzve me asistencë sociale, njerëzve të shpërngulur etj., kurdoherë është vlerë e lartë humane dhe që duhet të kultivohet në vazhdimësi. Por çfarë do të ishte edhe më e mirë për këtë mbrëmje humanitare dhe bamirësinë? Po i themi më poshtë disa çështje:
Të jepet një afat i alokimit të mjeteve të bamirësisë, qoftë edhe afatgjatë prej tre muajsh, e jo pambarim;
Të raportohen me emra dhe mbiemra të gjithë ata dhe ato që kanë premtuar të japin mjete financiare në këtë mbrëmje humanitare, në mënyrë që të mos shfrytëzohet nga disa për marketing e lobim personal, partiak e të kompanisë, ndërsa pas përfundimit të mbrëmjes humanitare, nuk përmbushin premtimin e tyre humanitar. Të gjithë ata dhe ato që japin donacione, qoftë edhe 20 euro, le të figurojnë në një listë publike, që kanë përmbushur premtimin e tyre financiar, në mënyrë që të mos shfrytëzohet nga ndonjëri vetëm për marketing falas televiziv, qoftë për veten, qoftë për kompaninë;
Të investohet edhe më shumë në sjelljen e investitorëve të huaj dhe vendorë, direkt dhe indirekt, në Komunën e Gjilanit, pasi që nëse rritet punësimi, reduktohet varfëria, dhe kështu, reduktohet edhe nevoja për bamirësi të tilla e të rralla.
Komuna e Gjilanit sikur të sillte ndonjë investitor, të nxiste hapjen e fabrikave të reja etj., nuk do të mbeste aq shumë mbrapa ekonomikisht. Më mirë se bamirësi, do të ishte punësimi i qëndrueshëm dhe sjellja e investitorëve të ndryshëm në Qytet;
Komuna e Gjilanit duhet ta rrisë fondin e rregullt të bursave të studentëve, e të mos kujtojë se me një mbrëmje humanitare të përmirësojë kushtet financiare të studentëve në vështirësi. Madje, komuna jonë, bashkë me komunat e tjera si ajo e Dardanës, Vitisë, Artanës, madje edhe e Ferizajt, Kaçanikut etj., të ndajnë një fond të përbashkët financiar vetëm për studentët e universitetit “Kadri Zeka”, pasi që shumë student në këtë universitet, vijnë edhe nga këto komuna.
Në përfundim të kësaj, e vlerësojmë shumë iniciativën “Pak nga ne, shumë për ata”, por edhe do të donim që këto që përmendëm më lart, një ditë t’i jetësojmë në Komunën e Gjilanit. Për studentët, sado që përpiqemi, sërish është pak! Për ta, duhet gjithmonë të bëjmë shumë më tepër!