Sherafedin KADRIU
PAK E TRISHTË, PAK NGUSHËLLUESE
(Për përmbledhjen me poezi “Pak e bëshme, pak e dehur” të Çarls Bukovskit, të cilën këto ditë e editoi Shtëpia botuese “Beqir Musliu”)
Përmbledhja poetike e Bukovskit Pak e bëshme, pak e dehur të nxitka që ta interpretosh përkthimin pa e njohur origjinalin. Dhe, duhet pranuar që ky është takimi im serioz me Bukovskin. Jam takuar tri-katër herë më parë, po shumë për pak. Sot e takova më ndryshe. Më të plotë, padyshim. E kishin sjellë Aqif Hysa dhe Enkeleda Ristani.
Sfidë vetja
Leukemia! Çmenduria! Kanceri! Birra! Shurra! Bytha! Sëmundje e shprehje. Lëmsh i paska bërë! Krejt me humor! Humor po, po humor i zi! Pak para se të kemi ikur nga jeta. Te përtej-jeta! Nuk i dihet si është! Sa për jetën e Bukovskit e mësova: e strukturuar thjesht si vargu e mendimi njëkohshëm. Ndryshe, jeta e Bukovskit është paravdekja poetike. Dhe qe, dukja jo e pa rëndësishme, si vetë përmbajtja… të dyja së bashku ndërtojnë stilin. E stili sjell art vetëm nëse bën jo çfarëdo, po, nëse bën diçka të rrezikshme. Dhe, e rrezikshmja vjen si tematikë e motivuar guximshëm sa për ta mashtruar edhe vdekjen!!! Si Nastradini me kafe! Për 5 ditë. Bile për 5 minuta, insiston Bukovski.
Dhe, vdekja sfidohet në 24 poezi të këtij vëllimi poetik për t’u zhveshur nga tragjikja. Në të gjitha të tjerat është fryma e saj e ndjerë trishtë…
*
Në këtë jetë, vjen një ditë e të gjithë e “zbulojnë” se janë të vdekshëm. Edhe Bukovskit i kishte ndodhur kështu. Ai vetëm e vuri në spikamë atë “zbulim “si lajm të mirë. Dhe i gëzohet lajmit të tillë. Si poet që është, medoemos! Dhe kënaqet me kënaçet e birrës.
lajmi i mirë është se jam
i vdekshëm
Thotë ai. Më shumë se lajm i mirë! Bukuria vetë qenka të jesh i vdekshëm! Bukuria dhe vdekja! Larg janë mes vete, shumë larg! E Bukovski i paska afruar, sa gati nuk i paska ngjitur shpinë për shpine.
Kështu këngëtohet vetëm në ëndërr me ato lëvizje të të sëmurit, të shkapërderdhura, pa asnjë buzëqeshje, sepse ai dhe jeta janë sfida vetë.
A mund të kënaqesh pak para se të vdesësh, duke dëgjuar kompozitorët Moxart, Bach, Bethoven dhe Brahms? Tamam metonimi! Për Bukovskin e di. Ai u beson kompozitorëve, pse vetëm ata dinë si ta nisin këngën pa fjalë, pse vetëm ata dinë si ta përfundojnë fjalën me tingullin e lyrës.
Ndryshe ka ndodhur në odën e Tomakëve të mi. Ulur bashkë me Musë Tomakun në t’ pritme t’ pamesh për vdekje të djalit të dëshirit. Nuk e diti as ai, e nuk e di as unë sot, nëse pati apo jo, leukemi biri i tij, një oqean larg Bukovskit. Ama kafe të ëmbla për herë të parë në vdekje u shijuan. E ëmbla dhe vdekja ndodhën pak para se ta “zbulonte” Bukovksi kompaktësinë e të bukurës dhe të vdekjes, – leukeminë e gjalljes së tij!
Ngjashmëria ndryshe
Për herë të parë e kam takuar shkrimtarin që nuk është i ngjashëm me askënd. Për herë të parë kam takuar poetin që dialogun më shpesh se romansieri e dramaturgu. Për të tjerët ndryshe mund të thuhet:
të tjerët janë
si të tjerët.
janë të gjithë njëlloj:
mblidhen
takohen
grumbullohen
janë të qeshur e të kënaqur
Në atë trandje, Bukovski gjen guximin për t’u djegur në ferr. Pse gjithkush sipas tij ka ferrin e vet. Edhe ai miku i tij, i cili:
duhet të shkojë në spital një ditë po
e një jo
që po vdes çdo herë
nga pak
e jeta e tij familjare
është prej kohësh
e palumtur. (Gjithkush ferrin e vet)
Realizmi lirik me personazhin tragjik, Uilliamin, po vdes me emër. Nuk është e rëndësishme prej cilës sëmundje, mjafton të mos vdesësh nga kanceri ose çmenduria. As nga leukemia! Kanceri, çmenduria, leukemia! Dhimbje edhe psikike, e të lodhshme njëkohësisht. Vetëm ai që ka rënë prej dardhe e di, thonë këndej nga ne, Bukovski. Po, në të vërtetë, duket se parimisht e dinë të gjithë!
Leximi dhe interpretimi
Kush e lexon Bukovskin tashmë e di se me miqtë e tij vdesin pak nga pak. Në mënyrën më të keqe të mundshme. Tmerrshëm. E Bukovski më së miri i kupton vdekjet e tilla. Vdekjet e miqve shkrimtarë. Vetë e thotë:
unë e kuptoja
vdekjen
e tij të ngadaltë e të tmerrshme
një herë i them se
zotat donin ta hiqnin qafe
sepse shkruante tepër
mirë
(Disa këshilla për t’u bërë gati)
Po, pse janë të ngadalshme vdekjet? As edhe njëra nuk ngutet. E vdekjet e ngadalshme, për ditë nga pak, o vijnë nga kanceri, o nga çmenduria, o nga leukemia. Nëse nuk vdes nga këto sëmundje ke një privilegje: kalon para djallit, për të shkuar në parajsë… (miku im Uilliam).
Dhe secili lexon nga Bukovski për dëshirën e tij, sepse ka çfarë gjen. Unë e lexoj edhe për këto vargje që m’i drejton mua:
jeta jote është jeta jote.
mos lejo që rrahjet ta përplasin në kantinën e epshmërisë
ji i kujdesshëm.
ka disa dalje.
diku ka dritë.
mbase s’do të jetë kushedi se çfarë drite, por fiton mbi errësirën.
Bukovski, nuk është pak nga ti. Kështu më pëlqen. Kështu mund ta mund vdekjen. Nëse nuk e mund, mund ta mposht në jetë. Besa po e mposht nganjëherë. Me ndihmën e bedelit – Doretës. Vetë jo.
Kjo është jeta ime para vdekjes. Jo vdekja jote pas jetës, Bukovski. E di. Ty “vdekja/nuk Të shqetëson/por Të acaron”. (faktori x). Pak punë acarimi. Lum si ti për hiç shqetësimin!
Ndërsa, po në ato çaste unë filloj e qahem… Ai ftohti i botës qenka mbledhur nën jorgan, edhe në dymbëdhjetë të ditës, gushtit të këtij viti. Një pëllëmbë dredhash djersësh ma njomin shtatin që po thahet dalëngadalë. Prandaj po ngutem. Jo për të jetuar nga shkrimet, por për të jetuar për shkrimet. Për atë iluzionin e përthyer si dritën në ujë.
Mos po kujton se po interpretoj poezi? Jo! Assesi jo. As nuk po përrallis kënaqësi, as nuk po ndrydh dhembje? Po bëj lojë me këpucët nën jorgan a pranë shtratit si përherë. Jam lodhur më. Pak punë pse
hapet dera dhe hyn vdekja.
“si thua për një pije?”, i them.
nuk përgjigjet.
shkoj në kuzhinë të shoh nëse ka për të pirë.
shekujt vraponin.
dhe ajo priste.
(Një buzëqeshje në errësirë)
Pajtim muzikor
Krejtësisht po pajtohem me ty. Nuk po lexoj poezi, – është poezia që po më lexon mua (stërkala, po ndryshe sipas Bukovskit).
tani mund të vdesësh
ti mund të vdesësh tani
ashtu si vdesin burrat:
madhështorë
fitimtarë
me muzikën në vesh
duke qenë ti vet muzika
që buçet,
buçet,
buçet
E sheh? Më thua si pa të keq. Më thua se do të vdes duke qenë muzika vetë. Sikur vdekja të jetë e lumturuar si muzika! Çfarë po thua, aman? Se muzika e vdekjes është lumturia vetë? Këtë s’ta besoj…
Nuk e di. Edhe mund të jetë si thua ti. Ndoshta edhe mund të ndjehesh fitimtar kur ka pushuar trupi nga shpirti zevzek. Po, nuk e di nëse atëherë e dëgjon muzikën që buçet, apo je muzika vetë?
Qe pra, ky është stili yt Bukovski, me të cilin u mësova shpejt. Dhe, dhe nuk dua tjetër stil, as tjetër jetë para vdekjes (prit dhe do të gjej, sipas Bukovskit).
Plak? 73 vjet vetëm!? Ha, ha, ha!
Plak ai që banon në shtëpinë krah tëndes, ai që ka mbushur 96 vjet të plotë. Plak dhe pis bile! Pisi plak, pisi! Si i bie me bastun dritares duke i dërguar puthje gruas së huaj! E ti vetëm 73 vjet do t’i mbushësh në gusht dhe thua se i ke bërë gati valixhet, për t’u hedhur njëherë andej nga boshi.
Edhe ti pajtohesh me mua se sëmundja të mplakka para kohe, jo pleqëria! Unë jam bindur, – pleqëria vjen me kohën. Ai i 96 vjetëve ka të drejtë të mendoj se së shpejti do t’i “ngarkojë mushkat”. Natyrshëm. Siç është e natyrshme kërkesa e tij për koqe të reja:
kur fqinji të vdes
do të jetë e vështirë të mbushet
zbrazëtia e madhe qe do të lërë
a isha
i qartë?
Po, kërkesa e tij më duket e natyrshme. Pse të mos kërkosh kur nuk të dhemb askund!
Recension për shtetin tim të ri
Shumë ke të drejtë që kritikët janë të rrallë si edhe vetë shkrimtarët e mirë. Thënë ndryshe, shiko vlerën e shkrimeve dhe pa problem mendo për kritikët: aty i ke. Një kritik i mirë
gjendet po aq rrallë
sa një shkrimtar i mirë.
edhe nëse unë marr një kritikë pozitive
apo negative.
Thua ti Bukovski. Thua se shumica nuk dinë t’i lexojnë librat. Ke të dejtë. Edhe sot po ndodh e njëjta gjë. Prandaj përsëritet jo rastësia. Të tillët kritikë të veshin me vlera që nuk i meriton, dhe me një mendjehollësi që nuk e ke. Të vërtisin kot nëpër dhomë si fërfëllizë dimri të ftohtë dhe gri. Gati e nxirë! Po atë rrugë ka marrë … shteti im i ri, që Bukovski e ka parë qysh dekada më parë:
spitale kaq të kushtueshëm sa ia vlen të vdesësh
avokatë kaq makutë saqë është më mirë të deklarohesh fajtor
në një vend ku burgjet janë plot e çmenditë të mbyllura
në një vend ku gjindja transformon të lajthiturit në heronj të lavdishëm
Mu në këtë shtet, ti pret kot për një vend pune që paguhesh keq dhe përballesh “me njerëz/ me njerëz të çuditshëm pa sy/dhe pa fytyrë të ulur në tavolina/që do duhej të rrëmbenin orët e mia/për t’i thyer/dhe për të pshurrur mbi to”. Kur të ikim nesër edhe nga vetvetja, nuk ka për t’u qarë: kisha vënë duart në zjarr se do të ikim nga Kosova. Do të jetë vonë atëherë. Vdekja e gjeneratës do të blejë varre në varrezat e Huaja. /2LONLINE/