“A është i mundur pajtimi ndëretnik në Kosovë – Anamoravë?”, kjo ka qenë pyetja-temë, të cilës tentuan t’i japin përgjigje të pranishmit në një debat që organizoi sot Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” në Gjilan, me pjesëmarrës zyrtarë të komunës së Gjilanit, Kamenicës, zyrtarë policor, shoqëria civile dhe mediet.
Në këtë debat u tha ndër tjerash, se pajtimi ndëretnik është në të mirë të gjeneratave të reja, për zhvillim dhe perspektivën e vendit, madje u lavdëruar edhe iniciativa e presidentit të vendit në ktë drejtim, por se u tha se duhet të kemi kërkim falje nga pala serbe për krimet e kryera në Kosovë si dhe fajtorët për krimet e luftës patjetër duhet të dalin para drejtësisë.
Valentina Bunjaku Rexhepi kryesuese e Kuvendit Komunal në Gjilan tha se pajtimi ndëretnik në Anamoravë ka ndodhur menjëherë pas luftës.”Gjilani dhe Anamorava njihen për tolerancë ndëretnike, njihen si qytete ku ka lëvizje të lirisë, ku ka integrim, ku ka punësime të komuniteteve. Ne e kemi kryer pjesën tonë të punës, tash i mbetet edhe Serbisë dhe vet komuniteteve që të kërkojnë falje sepse ne nuk harrojmë dhe ne nuk falim” tha Bunjaku.
Kurse Begzad Sinani kryetar i Komunës së Kamenicës tha se pajtimi ndëretnik është temë komplekse dhe e ndërlikuar.”Komunat e Anamoravës janë komuna lidere në këtë drejtim edhe pse para vetës kemi Listën Serbe e cila është jashtë kontrollit të institucioneve tona. Edhe në Kamenicë përkundër faktit që ka ndodhur pajtimi, ende kemi shkolla të ndara që mbajnë nga dy emra”.
Sinani tha se Anamorava asnjëherë s`ka qenë për hakmarrje, por i takon palës serbe që të kryej obligimet e saja, të shuaj strukturat paralele që janë shumë shqetësuese për ne.”Ne kemi gëlltitur mjaft kurse serbët e në veçanti regjimi serb duhet të kërkojë falje për tërë ato krime që i ka bërë në Kosovë” tha Sinani.
Elmina Mahmuti komandante rajonale e policisë në Gjilan tha se në fillim serbët kanë hezituar të punojnë me uniformën e policisë së Kosovës, e tani i kemi rreth 130 polic të komunitetit serb.”Në Gjilan e Anamoravë kemi një siguri maksimale për komunitetet, ata ecin lirshëm, kryejnë obligimet e tyre, kanë tregjet e veta derisa është e mbrojtur edhe trashëgimia fetare e kulturore”.
Kemajl Shahin kryetar i komitetit për komunitete në Gjilan tha se është krenar që në Gjilan ka pak eksese ose fare që i takojnë fushën ndëretnike.”Kemi punuar mjaft që ta kemi një qytet për të gjithë qytetarët dhe për këtë meritë kanë qytetarët e Gjilanit. Tani edhe serbët duhet të pranojnë të gjitha ligjet e Kosovës” tha ai.
Shaban Terziu nga shoqëria civile tha se është punuar mjaft në integrimin e serbëve në Anamoravë derisa ka mbështetur idenë e presidentit Hashim Thaçit.
Nuhi Nuhiu nga AKR tha se pajtimi nuk mund të ndodhë kur Lutfi Haziri e ka sjellë decentralizimin dhe Asociacionin e Komunave serbe, të cilat sipas tij janë dy gjëra që pikërisht e pamundojnë ose e kanë larguar mundësinë e pajtimit ndëretnik.
Gani Neziri nga PDK ka dhënë përvojën e tij prej të burgosuri. “Ne kemi humbur shumë, kemi humbur rininë tonë, na kanë dëmtuar në shumë aspekt, por koha e pajtimit është tani. E mbështes idenë Hashim Thaçit 100% sikurse kërkojë që të gjithë ata që kanë bërë krime të përgjigjen para drejtësisë.
Demir Krasniqi qytetar e krijues tha se tema e pajtimit ndëretnik është pak e hershme sepse ende e kemi gjakun e lagur. “Së pari duhet të zbardhen të gjitha krimet e luftës, duhet të gjendej të zhdukurit”.
Selver Lanjani banor nga Karaqeva e komunës së Kamenicës tha se derisa Serbia e ka zhytur sofrën e shqiptarit me gjak është ende herët, por jam për atë që pajtimi të ndodhë.
Fatmir Selimi tha se krimet serbe nuk vjetrohen dhe se shteti serb duhet të kërkojë falje për spastrimin dhe gjenocidin e kryer në Kosovë, edhe atë jo vetëm për ato në luftë ne fundit.
Në debat me diskutimet e tyre kanë kontribuar edhe Arianit Ibrahimi, Muharrem Bajrami e ët tjerë. Përndryshe, debati i organizuar nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” është përkrahur nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung me seli në Prishtinë.