Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Zenun Pajaziti, beson se partitë opozitare do të reflektojnë dhe pas certifikimit të rezultateve do të ulën dhe të bisedojnë me partinë e parë për të formuar Qeverinë. Sipas tij, sinjalin e parë të keq, opozita e ka dërguar duke mos e uruar fituesin e zgjedhjeve të 8 qershorit dhe pastaj duke u munduar t’ia ndalin hovin e fitores PDK-së.
“Ashtu siç kanë shkuar këto zgjedhje të lira dhe demokratike, kam pritur që mbrëmjen e vonë të datës 8 qershor ka me pas një kurajë të atyre që nuk i fitojnë zgjedhje me ia uru partisë më të madhe. Kjo s’ka ndodhur dhe ky është sinjali i parë negativ që pasuar pas zgjedhjeve me një tendencë për bllokadë”, ka thënë Pajaziti, për Express.
“Ky ka qenë një veprim politik për të ndalë hovin e fitores së PDK’së”, ka shtuar ai.
Ndryshe, LDK, AAK dhe Nisma kanë bërë një koalicion paszgjedhor me përkrahjen e Vetëvendosjes dhe kanë paralajmëruar formimin e Qeverisë së re. Por, kjo shihet e pamundshme nga ish-Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë PDK-LDK.
Zenun Pajaziti thotë se inatet e liderëve të opozitës me fitoren e PDK’së duhet t’i largojnë dhe të veprojnë për të mirën e qytetarëve.
Sipas tij, askush nuk dëshiron të shkojë në zgjedhje të reja dhe për të mos i maltretuar qytetarët edhe me një proces zgjedhor, ai kërkon bashkëpunimin e opozitës me partinë e parë.
Pajaziti thotë se PDK është e interesuar të formojë Qeveri stabile për të jetësuar programin e paraqitur para qytetarëve të Kosovës.