Kreu i Partisë Demokratike të Gjilanit (PDK), së Gjilanit, Zenun Pajaziti, i cili do të jetë kandidat i këtij subjekti politik, në garën për kryetar komune, në zgjedhjet e 22 tetorit, shpreson në fitore dhe se thotë se besimin që do ta marr nga qytetarët, do e kthejë me besim ndaj tyre duke qeverisur për qytetarin.
Ai tha se e ka ndier për obligim për t’i prirë listës në këtë garë, si kandidat për kryetar, bashkë edhe me ekipin tjetër garues për asamble, sepse ka qenë një interesim i madh në struktura të partisë, por edhe në mesin e qytetarëve gjilanas të cilët duan ndryshime, që nuk u bënë nga kjo qeverisje aktuale.
Pajaziti ka thënë se është i gatshëm për të marr përgjegjësi, dhe se PDK ka pas vete, përvojat më të mira të qeverisjes, por edhe mësimet e marra nga vërejtjet e qytetarëve, dhe kjo do t’i shërbejë bukur mirë tani.
“Ne këto ditë, kemi kontakte të vazhdueshme me qytetarë, po i shohim pikëpamjet e tyre, atë që duan dhe bashkë me ta, po punojmë për një ofertë të mirë qeverisëse, që nuk do të ketë të bëjë vetëm me ofrimin e shërbimeve sa më të mira për qytetarë, por edhe me nxjerrjen e Gjilanit, përkatësisht të krejt këtij regjioni, nga margjinat e izolimit”, ka thënë për Portalin 2LONLINE, Zenun Pajaziti, kandidati i PDK-së, për kryetar të komunës së Gjilanit.
Sipas tij, qytetarët kishin pritur edhe në këto vite të kësaj qeverisje zhvillim të hovshëm të Gjilanit e regjionit, por se ata janë të pakënaqur dhe kjo pakënaqësi e tyre akoma ekziston.
“Ka kaluar koha që në Gjilan të bëhen vetëm investime emergjente. Gjilanasit po kërkojnë ta planifikojnë zhvillimin, të shfrytëzohen kapacitetet që i ka ky regjion, të shfrytëzohen resurset dhe t’iu hapet mundësia ndërmarrësve, por edhe qytetarëve që janë punëtorë të zot, ta bëjnë ndryshimin në komunën e tyre”, ka thënë tutje Pajaziti.
Sipas tij, PDK-ja, por edhe vet ai, janë të gatshëm t’i marrin këto përgjegjësi, dhe t’i realizojnë jo vetëm premtimet dhe projektet, por edhe pritjet e qytetarëve.
Pajaziti tha se tërë përvojën e deritanishme të tij, do ta shfrytëzojë për interesat e qytetit të tij dhe qytetarëve të saj, pasi e ndjenë për obligim ndaj gjithë asaj mbështetje që ata i kanë dhënë, jo vetëm tani së fundi, por edhe në periudhat më të vështira.
Andaj, ai thotë se do të jetë nderë për të, t’i shërbejë qytetarëve, nëse ata do ta mbështesin me votën e tyre, për të qeverisur bashkërisht me ta, i bindur se nuk do t’i zhgënjejë asnjëherë, por do të ecin bashkë drejt një Gjilani të zhvilluar.