(2LONLINE) – Gjilani po vazhdon të ballafaqohet me problemin e uji të pijes, pas rënies drastike të nivelit të ujit në burimin kryesor, Pendën e Përlepnicës, prej nga furnizohen me ujë qytetarët e Gjilanit, si rrjedhojë e mungesës të të reshurave atmosferike. Nga Kompania “Hidromorava”, reduktimet po vazhdojnë ndërsa institucionet komunale kanë ndërmarrë masa për të menaxhuar thatësirën dhe për të gjetur burime alternative, ndërkohë që inspektorët janë lëshuar në “gjah” ndaj atyre që po e keqpërdorin ujin.
Në këtë vazhdë edhe Drejtoria e Inspekcionit ka shtuar dukshëm aktivitetin e saj në drejtim të idetifkimit të keqpërdoruesve të ujit të cilët edhe po gjobiten, por ka edhe lëndë që janë proceduar në Gjykatën përkatëse, krejt kjo me qëllim të ndalimit të keqpërdorimit të ujit. Në fokus janë sidomos autolarjet që përdorin ujin e ujësjellësit për veprimtarinë e tyre.
Selver Xhelili drejtor i drejtorisë së Inspekciont ka thënë për Portalin 2LONLINE, se Inspekcioni është i përkushtuar për të bërë detyrën e saj dhe se nuk ka pardon për asnjë keqpërdorues të ujit të pijes. Ai tha se në këtë vazhdë është bërë inspektimi i një numri të madh të autolarjeve dhe ka prej tyre që edhe janë gjobitur. Prej tyre është kërkuar që të gjejnë alternativë tjetër dhe se gëzon fakti që shumë prej autolarjeve kanë nisur të hapin puse duke mos e përdor më ujin e ujësjellësit për larjen e automjeteve.
Ai tha se inspektorët do të vazhdojnë për çdo ditë të veprojnë në këtë drejtim dhe se kudo që do të hasin në raste kur uji përdoret për larje të automjeteve, rrugëve, ujitje të kopshteve, a derdhet pa nevojë do të reagohet menjëherë dhe do të ndërmerren masa për të mos toleruar raste të tilla.
Nga ana e tyre, inspektorët komunal kanë thënë se kanë hasur në të tillë që përdorin ujin e ujësjellësit për larje të veturave dhe të tillët edhe janë gjobitur apo edhe iu është proceduar lënda në Gjykatën përkatëse.
Bilall Dauti, inspektor komunal ka thënë për 2LONLINE, se deri më tani i kanë inspektuar mbi 30 autolarje dhe se deri më sot janë shqiptuar 12 gjoba, e për disa prej tyre edhe janë proceduar lëndë në Gjykatën Themelore, Divizioni për Kundërvajtje, për shkak të keqpërdorimit të ujit të ujësjellësit.
Dauti ka thënë se paraprakisht të gjitha autolarjet janë njoftuar me urdhëresën e institucioneve për ndalim të përdorimit ët ujit të ujësjellësit për tu shfrytëzuar për veprimtari të tillë dhe se më pas janë bërë inspektime dhe se ndaj atyre që nuk e kanë përfillur urdhëresën janë ndërmarrë masa. Përndryshe, sipas tij, gëzon fakti që ka prej autolarjeve që kanë gjetur burime tjera alternative duke hapur puse për të ushtruar veprimtarinë e tyre, por edhe qytetarë të tjerë, janë vetëdijesuar dhe po e shfrytëzojnë racionalisht ujin e ujësjellësit.
Megjithatë, puna do të vazhdojë akoma dhe se nuk do të bëhet as tolerimi më i vogël, por masa sipas ligjit do të ndërmerren ndaj të gjithëve që keqpërdorin ujin e pijes, ka thënë Bilall Dauti, inspektor komunal. /2lonline/