(2L ONLINE) – Deklaratat mospajtuese të kreut të komunës së Gjilanit Lutfi Hazirit , pas publikimit të listave të veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve të UÇK-së kanë nxitur reagimin e OVL UÇK-së, të cilët e kanë porositur atë por edhe politikanë të tjerë që të mos e keqpërdorin pozitën e tyre të besuar nga qytetarët, por të presin procesin përfundimtar të verifikimit të listave.
Rikujtojmë se kreu i komunës Lutfi Haziri ka thënë se se lista e veteranëve të UÇK-së së Zonës së Karadakut, e publikuar 3 ditë më parë, është listë e papranueshme sepse aty gjenden shumë persona, të cilët nuk kanë qenë fare në asnjë cilësi në luftën e fundit, por kanë qenë së bashku me qindra mijëra njerëz në Bllacë, duke i anashkaluar veteranët e vërtetë.
Për më tepër shih: Luta: Anashkalohen veteranë të vërtetë, në lista edhe ata që ishin në Bllacë
Ndërsa, tani ja reagimi i plotë (pa ndërhyrje) i dërguar në adresë ne redaksisë së Portalit 2L ONLINE, nga Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Dega në Gjilan.
“Ka ca ditë qe Luta po behet luftëtar pas lufte. Deklaratat e tij nën ndikimin e alkoolit rreth publikimit të listave të veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve po irritojnë të gjithë ata që patën guximin të rreshtohen rreth UÇK-së dhe gjithë popullin që e ndihmoi lirinë e Kosovës.
Parulla të tilla kemi dëgjuar para lufte, gjatë luftës dhe po vazhdojnë edhe sot nga e njëjta orkestër e cila ka vetëm një qëllim, ta politizojë procesin.
UÇK në ZOK ka pas vijën komanduese, strukturën e organizuar ushtarake dhe ushtarët të cilët vullnetarisht iu kanë përgjigjur thirrjes në luftë për çlirim.
Lufta e UÇK-së ka në themelin e lirisë Dëshmorët dhe Martirët e Kombit por ka edhe dëshmitarët e gjallë–luftëtarët të cilët nuk do të lejojnë askënd që për motive politike të na pengojnë ndriçimin e të vërtetës. Lutës dhe gjithë atyre që janë në angazhime politike ju themi të mos e keqpërdorin pozitën e tyre të besuar nga qytetarët por të presin procesin përfundimtar të verifikimit të listave.
Kush ka qenë luftëtar i vërtetë do ta vërtetojë përfundimi i verifikimit të listave duke marr parasysh edhe ankesat e atyre të cilët kanë aplikuar që për gabime teknike ka mundur t’u bëhet padrejtësi.
Por, luftëtarët e vërtetë dhe qytetarët e dinë kush ka dezertuar, kush ka ikur përmes Bllacës dhe kush e ka lëshuar atdheun në kohët më të vështira. Veteranët e vërtetë presin përfundimin e verifikimit të listave, ndërsa sot për interesa tjera krrokatin individët si puna e Lutës.
Qytetarët e Zonës Operative të Karadakut që përfshinë katër Komuna (Gjilan, Viti, Dardanë dhe Artanë) e kanë përjetuar luftën i njohin mirë luftëtarët por i njohin edhe ata që nuk i kanë parë gjatë luftës në këto territore.
Edhe njëherë kërkojmë nga Luta të merret me punët dhe përgjegjësitë që i ka në Komunë dhe të lerë komisionin në punën e vet në mënyrë që të gjithë t’i kryejnë detyrat që iu takojnë”, thuhet në fund të reagimit nga kryesia e Organizatës se Veteranëve të Luftës së UCK-së, Dega në Gjilan. /2L ONLINE/