Drejtues të organizatave dala nga lufta e UÇK-së përmes një letre publike, drejtuar krerëve të institucioneve të vendit, kanë kërkuar plotësimin e një sërë kërkesash siç janë miratimi i ligjit që njeh luftën e UÇK, verifikimin e secilit pjesëtar të saj, të jenë të më vetëdijshëm karshi politikës ndërkombëtare për pjesëtarët e UÇK dhe që mos të aprovohet kërkesa për vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës.
Në letër thuhet se që nga përfundimi i luftës veteranët e UÇK-së, po ballafaqohen me shumë padrejtësi, shpifje e trillime nga më të ulëtat, me arrestime, burgosje, mbajtje në paraburgime, ngritje të aktakuzave e deri te dënimet pa asnjë bazë, por tërësisht të bazuara në shpifje e deklarata të montuara e të fabrikuara nga bashkëpunëtorët e Beogradit.
Po ashtu në këtë letër thuhet se që nga përfundimi i luftës, një pjesë e veteranëve jetojnë në gjendje të rëndë ekonomiko-sociale e po ashtu edhe në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas OVL të UÇK-së, familjet e veteranëve të vdekur pas lufte, nuk kanë kurrfarë përkujdesje institucionale, si pasojë që nga përfundimi i luftës më shumë se 25 veteranë kanë bërë vetëvrasje, e të gjitha këto, sipas tyre, po ndodhin në mungesë të ligjit për luftën e shenjtë të UÇK-së.
“Kërkojmë që me urgjencë të miratohet amandamentimi i ligjit nr.04/L-054, ku do të njihet lufta jonë çlirimtare. Gjithashtu, me këtë do t’i hapet rruga komisionit qeveritar që të fillojë punën për verifikim dhe njohjen e statusit dhe kategorizimin e veteranëve duke u mbështetur në ligj. Ky plotësim-ndryshim të bëhet brenda këtij viti, sepse kjo është një domosdoshmëri. Kërkojmë që më së largu deri më 10 mars 2014, të bëhet verifikimi i plotë si dhe të procedohet ligji për plotësim-ndryshim, ku do të përcaktohen të drejtat dhe benificionet e veteranëve si dhe familjet e veteranëve që kanë vdekur pas përfundimit të luftës. Kërkojmë që të reflektoni karshi politikave ndërkombëtare, që të mos bëjnë politikë të dyfishtë në raport me shqiptarët. Ne kërkojmë që të kundërshtoni kërkesat absurd për vendet e rezervuara në Parlament”, thuhet në këtë letër publike.
Drejtues të organizatës, kanë thënë se pasi që kjo është vërejtja e tyre e fundit, kërkojnë që zyrtarët e të gjitha institucioneve relevante që t`i përvishen punës e të realizojnë kërkesat e tyre në afatet e cekura, në të kundërtën ata thonë se do të shfrytëzojnë të gjitha mjetet në përputhje me Statutin e programin tonë, duke mos përjashtuar demonstratat.