Në prag të dyvjetorit të largimit me dhunë të Lapidarit të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Veteranët e Luftës kërkojnë rikthimin e saj në vendin e merituar.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇPMB-së me këtë rast përmes kësaj komunikate njofton opinionin e gjerë dhe i bënë thirrje shoqërisë civile, subjekteve politike, njerëzve të vullnetit të mirë që të marrin përsipër përgjegjësitë morale, intelektuale dhe kombëtare për ta gjetur një zgjidhje përfundimtare të pranuar për të gjitha palët lidhur me kthimin dhe rivendosjen e Lapidarit të Dëshmorëve të UÇPMB-së.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇPMB-së konsideron se largimi i dhunshëm i Lapidarit të Dëshmorëve nga sheshi i Preshevës, nuk është kapitull i mbyllur.
“Përkundrazi, ky akt ishte dëshmi e vazhdimësisë së diskriminimit të drejtave themelore të shqiptarëve të këtyre trojeve. Ishte njollosje e veprave heroike të atyre që dhanë jetën për lirinë dhe mirëqenien e këtij populli. Historia e Lapidarit të UÇPMB-së ka ngjallë reagime mbarë kombëtare si në Prishtinë po ashtu edhe në Tiranë, që jep të kuptohet se kujtimi për dëshmorët dhe kauzën e tyre është kujtim për tërë kombin e jo vetëm për shqiptarët e këtyre trojeve”, thuhet në kumtesën e OVL-s me seli në Preshevë, transmeton Titulli.com.
Kjo organizatë thekson se e drejta e drejta e shqiptarëve për të përkujtuar veprën e dëshmorëve është e pakontestueshme.
“Nëse autoritetet e Beogradit e ruajtën kompleksin për të rënit e tyre nga lufta e fundit në Dobrosin, si ka mundësi që neve mos të na lejohet së paku një lapidarë ta ndërtojmë në kujtim të veprës të tyre heroike. Në Kosovë edhe sot e kësaj dite po ndërtohen monumente të personalitete nga e kaluara historike e popullit serb që mundë të jenë kontestuese për historiografinë shqiptare dhe popullin shqiptarë. Ndërsa këtu shkulen nga faqja e dheut lapidare që në kujtesën tonë reflektojnë porosi emblematike për gjeneratat e ardhme. Standardet duhet të nivelizohen njësoj për të gjithë sa do të dhimbshme dhe të papranueshme qofshin ato”, thuhet matej në kumtesën e nënshkruar nga kryetari OVL-së së UÇPMB-së, Nazmi Hajredini.
Lapidari i UÇPMB – së është vendosur dhe promovuar në mënyrë solemne para ndërtesës së Kuvendit Komunal. Janë mbajtur fjalime të liderëve politik dhe të tjerë. “Është e papranueshme për neve që çështjet madhore kombëtare të instrumentalizohen për fushata elektorale dhe promovime partiake. Ne besojmë se angazhim i jonë i përbashkët për ta rivendosur lapidarin në vendin e merituar, është një mundësi tjetër për ta rikthyer dinjitetin ton kombëtare të nëpërkëmbur dhe të përdhosur me rastin e largimit të dhunshëm të Lapidarit të Dëshmorëve të UÇPMB-së”, reagon OVL. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇPMB-së besojnë se kjo çështje e ndjeshme do të mobilizoj të gjithë shqiptarët autokton në këto troje për ta përmirësuar këtë padrejtësi historike ndaj shqiptarëve dhe gjithashtu, kërkonë nga autoritetet e Beogradit që të reflektoj ndaj kërkesave legjitime të popullatës shqiptare, në mesin e tyre edhe rikthimit të lapidarit të dëshmorëve në vendin e merituar.
Lapidari i UÇPMB-së me emrat e 28 dëshmorëve u hoq nga sheshi i Preshevës më 20 janar të vitit 2013-të. Nga ajo kohë kur forcat e Xhandarmërisë serbe shkulën pllakën me emblemën e UÇPMB-së e deri më sot, nuk dihet se ku ka mbetur Lapidari i dëshmorëve.