Kryetari i Lëvizjes së Progresit Demokratik (LPD) në Bujanoc dhe njëherit kryetar i Kuvendit Komunal Jonuz Musliu, me pjesëtarët e subjektit të tij, sot kanë vizituar në shtëpitë e tyre tre ish pjesëtarëve të UÇPMB-së, të liruar së fundmi nga burgu qendror i Beogradit, Agush Memishin, Samet Hajdarin dhe Faton Hajdarin.
Musliu, duke i uruar ish të akuzuarit dhe familjarët për lirimin e tyre, për shëndet dhe fat në të ardhmen, ai theksoi se “fitorja e drejtësisë shqiptare para proceseve të montuara politike, është edhe një fitore e luftës së drejtë çlirimtare të UÇPMB-së, e cila përmes Marrëveshjes Paqësore të Konçulit, internacionalizoi çështjen shqiptare të Luginë së Preshevës”, raporton Titulli.com
Musliu, ish shefi politik i UÇPMB-së, ka përgëzuar të sapo liruarit për qëndrimin e tyre burrëror para shantazheve, presioneve dhe dhunës serbe nëpër burgje.
Ai gjithashtu i ka uruar familjarët për lirimin e të dashurve të tyre si dhe të gjithë ata që kontribuuan në tejkalimin e këtyre proceseve të montuara politike.
Nga ana tjetër Agushi, Sameti dhe Fatoni, të emocionuar, kanë falënderuar kryetarin Musliu për vizitën në përgjithësi, në veçanti për ndihëm dhe përkrahjen që kanë marrë në çdo aspekt nga ai.
Tre të liruarit nga burgu qendror i Beogradit u rikthyen në vendlindje, në komunë të Preshevës, në mbrëmjen e 13 nëntorit, pas pesë vite qëndrim në këtë burg.
Ata tani vazhdojnë të vizitohen nga shumë qytetarë të Luginës, mirëpo edhe nga Kosova e Maqedonia.
Duhet theksuar se gjykata serbe për Krime Lufte kishte dënuar “Grupin e Gjilanit” me gjithsejtë 116 vite heqje lirie, duke akuzuar të njëjtit se kishin vra 47 civil serb dhe joshqiptarë ndërsa 37 qytetarë sipas Gjykatës për Krime Lufte udhëhiqeshin si të zhdukur.
Prokuroria i akuzonte për krime monstruoze, përderisa as një dëshmitarë nuk doli të kishte të drejtë.
OVL dhe ish pjesëtarë të UÇPMB-së në vizitë të shokëve të luftës
Një vizitë të ndarë nga LPD, e ka bërë sot edhe OVL e UÇPMB-së e cila ka vizituar tre të liruarit shqiptar Agush Memishin , Faton dhe Samet Hajdarin.
Ata kanë vlerësuar lartë trimërinë e tyre , duke konsideruar se pafajësia e tyre ka dëshmuar edhe luftën e pastër të UÇK-së dhe UÇPMB-së.
Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL) në Preshevë dhe Bujanoc dhe bashkëluftëtarët e lirisë kanë qëndruar në konakun e familjes Agushi dhe Hajdari.
Fillimisht ata kanë vizituar të liruarin Agush Memishi , duke e përgëzuar për qëndrimin e tij dhe mbrojtjen e pafajësisë deri në momentin e fundit. Agushi aty takoi edhe disa shokë burgu nga Bujanoci , të cilët më 5 maj u arrestuan nga forcat e xhandarmërisë .
Ndërkaq kryetari i OVL në Preshevë Ramadan Ismajli ka përcjellë mesazhe edhe nga organizata e luftës në Kosovë e Maqedoni. Ai me tej ka theksuar se pafajësia e Agushti , Fatonit , Sametit dhe të tjerëve është një fitore e gjithë shqiptarëve, raporton TV Presheva.
Ndërkaq më pas të gjithë kanë vizituar edhe dy vëllezërit Hajdari .
Nga këtu kreu i OVL-së Edmond Isufi ka thënë se pafajësia e djemve nga Lugina ishte një moment gëzimi për të gjithë shqiptarët, pasi u dëshmua lufta e pastër e tri ushtrive çlirimtare shqiptare.
Pas më se pesë vitesh me vendim të Gjykatës serbe për Krime Lufte janë liruar nga aktakuza e më tejme Agush Memishi i dënuar me 12 vite burgim, Samet Hajdari me 15 vite, Nazif Hasani me 13, Ahmet Hasani me 13, Burim Fazli me 12, Selimon Sadiku me 12, Faton Hajdari me 10, Ferat Hajdari (8), Kamber Sahiti (8), Sadik Alii (8vite ) dhe Shefket Musliju me 5 vite heqje lirie.
Përderisa në shtator të 2012 ishin liruar nga aktakuza edhe Fazli Hajdari, Rexhep Aliu, Shaqir Shaqiri, Idriz Aliu, Ramadan Halimi dhe Shemsi Nuhiu, i cili në maj të 2012 ishte ekstraduar nga Zvicra në Beograd