Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Nehat Osmani, njëherësh anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit, e ka kritikuar qeverisjen lokale dhe kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirin për keqqeverisje. Siç ka thënë ai, Lutfiu do të mbahet mend për vitin 2019, për shumë gjëra të këqija, në këtë kontekst ka përmend se Lutfiu për vitin 2019 do të mbahet mend për faktin se e mori Gjilanin me 24 orë ujë në ditë dhe po e braktis atë pa pikë uji në asnjë orë në ditë.
Fillimisht Osmani tha se ky vit ishte viti i Vetëvendosjes. Ky vit ishte viti i besimit në Vetëvendosjen. Ishte viti kur populli e Vetëvendosja u bënë një. Ky vit, pra viti 2019, ishte viti i kthesës politike radikale, i ndarjes përfundimtare nga e keqja, i zgjimit dhe vetëdijesimit të qytetarëve.
“Qytetarët tanimë nuk ndjekin perspektivat egoiste të individëve të llojit të liderëve si Lutfiu, sepse qytetarët janë të prerë të ndjekin perspektivat kolektive të shoqërisë sikur proklamon Vetëvendosja”, ka thënë Osmani transmeton Portali 2LONLINE.com.
Sipas tij, viti 2019 ka dëshmuar se përkushtimi politik i Vetëvendosjes për të sjellë rregull dhe drejtësi, alternativa dhe ide konkrete në komunën tonë është më i madh se përkushtimi i qeverisë dhe kryetarit të Gjilanit për të sjellë kaos dhe vazhduar varfërimin e buxhetit të qytetarëve.
Osmani tha tutje se viti 2019 ka dëshmuar se pushteti i LDK-së me eksponentët e saj në kuvend përmes injorancës së kryesimit, kanë paralizuar jetën parlamentare dhe institucionale ndërsa debatin në kuvendin e komunës së Gjilanit e kanë shndërruar në rrëfime meselesh të odave të burrave e kanagjegjeve të grave.
Osmani tha se viti 2019 ka dëshmuar që dëmet e shkaktuara nga pushteti i Lutfiut janë të mëdha, të parikuperueshme dhe ireverzibile.
“Lutfiu, e mbani mend, e zvogëloi Gjilanin në mënyrë që vet të mbahet mend i madh. Mendja tij “sa më i vogël Gjilani, aq më i madh Lutfiu” Por Lutfiu në vitin 2019 do të mbahet mend për faktin se e mori Gjilanin me 24 orë ujë në ditë dhe po e braktis ate pa pikë uji në asnjë orë në ditë. Lutfiu në vitin 2019 do mbahet mend për faktin që po ikte nga debatet me qytetarët sepse ishte mësuar të zhvilloj monologje me vartësit dhe servilët e tij. Lutfiu më 2019 do të mbahet mend për faljen e pronave publike OJQ-ve të afërta me të. Lutfiu dhe LDK-ja do mbahen mend në vitin 2019 si uzurpatorët kryesor të pronës publike. Lutfiu do mbahet mend më 2019 se dy tifozerive më të flakta në Ballkan “Intelektualëve” e “Skifterave” po u mohon për të tretin vit me rradhë ndjekjen e dy klubeve më të organizuara dhe me investimet më të mëdha në vend “Dritës” e “Gjilanit” nga tribunat e qytetit tone’, ka thënë ai.
Osmani tha se për të gjitha këto të thëna e shumë më shumë tjera të pathëna, Lutfiu dhe LDK-ja do mbajnë mend vitin 2019, do mbajnë mend sidomos 6 Tetorin, si humbjen turpëruese dhe vendimtare nga Vetëvendosja.
Sipas tij, 40% të qytetarëve të komunës së Gjilanit me tendencë rritjeje të çdoditshme të besimit në Vetëvendosjen, kundrejt 27% të qytetarëve të komunës së Gjilanit me tendencë rënieje të përditshme të zhgënjimit në LDK-në, është garancë e depozituar se ashtu sikur që “shpresa e popullit për ndryshim në nivel shteti ishte dhe do të jetë për kohë të gjatë Vetëvendosja, ashtu pra edhe shpresa e vetme për ndryshim e qytetarëve edhe në nivel të Komunës së Gjilanit do të jetë Lëvizja Vetëvendosje”
“Me këtë konstatim e me këtë besim, me këtë përkushtim e vendosmëri, do vazhdojmë të rrisim e zgjerojmë përkrahjen për rrugën tonë që do jetë rrugëtimi i përbashkët i lëvizjes dhe qytetarëve të komunës së Gjilanit, e do të jetë fitorja vetëm e tyre dhe vetëm në shërbim të tyre”, ka thënë Nehat Osmani, nënkryetari i vetëvnedosjes në Gjilan, njëherësh anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit.