Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Besnik Osmani deklaroi për transmetuesin publik, se të gjithë zyrtarët e Komunave veriore janë betuar me simbolet shtetërore, mirëpo problemi qëndron ende te statutet e këtyre komunave.
Ai tha se të gjithë kryetarët e komunave veriore dhe këshilltarët deri tash janë betuar me simbole të Kosovës, mirëpo sipas tij, vlenë të theksohet se nëse ndonjërit i ndërron pozita atëherë zëvendësohet me tjetrin që duhet t”i ndjek procedurat e edhe betimin, pastaj varet nëse pajtohet apo jo.
“Mund të them se ka ndonjë këshilltar që jep dorëheqje dhe atë duhet zëvendësuar. Por deri tash çështja e simboleve nuk është problem, por ajo me statutin”.
Osmani tha se lidhur me statutin komunave veriore u kanë dhënë afat 1 muaj, që t’i përmirësojnë apo harmonizojnë rekomandimet nga ana e ministrisë dhe presin që edhe kjo çështje të rregullohet.
“Komuna e Leposaviqit dhe Zubin Potokut afatin e kanë me 17 prill, ndërkaq Mitrovica Veriore dhe Zveqani tetë ditë më vonë”, deklaroi Osmani.