Me rastin e 15 shtatorit, Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, u ka bërë thirrje institucioneve që të sigurojnë pjesëmarrje më të madhe të grave, të rinjve dhe personave me aftësi të kufizuara në proceset e politikë-bërjes e vendim-marrjes, dhe ka inkurajuar organizatat e shoqërisë civile që të avokojnë për nevojat e këtyre grupeve.
Ambasadori Schlumberger ka folur në një konferencë të Misionit të organizuar për më shumë se 40 përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe të institucioneve të nivelit qendror e lokal në Prishtinë, të cilët diskutuan praktikat dhe politikat më të mira të pjesëmarrjes, si dhe promovimin e zbatimin e tyre në mbarë Kosovën.
“Është shumë e rëndësishme që gratë, të rinjtë, dhe personat me aftësi të kufizuara të jenë pjesë e dialogut social dhe të marrin pjesë në hartimin e legjislacionit, miratimin e buxheteve, dhe ndarjen e resurseve publike,” tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger.
“Pa pjesëmarrjen e tyre në këto procese kyçe të vendimmarrjes dhe politikë-bërjes, ne nuk mund të flasim për mundësi të barabarta për të gjithë,” shtoi ai dhe premtoi mbështetje të mëtejme të Misionit në proceset e demokratizimit në Kosovë.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.