(2L ONLINE) – qendra Rajonale e OSBE-së në Gjilan ishte nikoqire e grupit të grave të Lipjanit në ndarjen e praktikave më të mira sa i përket barazisë gjinore, respektivisht të arriturave të grave në komunat e Vitisë, Ferizajt, dhe Kamenicës.
Në fjalë e tij hyrëse Drejtori i Qendrës Rajonale të OSBE-së zt. Ulrich Biffar theksoi se pas 5 vitesh të formimit të grupeve të grave në rajonin e Gjilanit ndjehet i gëzuar që përfaqësueset e këtij rajoni po bëhen shembull dhe mësim i mirë se pas përpjekjeve vinë rezultatet. Ai ofroi mbështetjen e OSBE-se edhe për grupet e rajoneve tjera, ngase zyra rajonale ka kapacitet dhe ekspertizë në fushën e barazisë gjinore.
Gjatë këtij aktiviteti përfaqësueset e këtyre tri komunave paraqitën aktivitetet, sfidat dhe situatën e përgjithshme të barazisë gjinore dhe të mirëqenies së gruas si rezultat i punës së tyre dhe bashkëpunimit me zyrën rajonale të OSBE-së.
Mysafiret nga Lipjani u falënderuan për mikpritjen dhe mësimet e nxjerra, ngase sipas tyre shembujt e këtyre tri komunave do të ndikojnë në bërjen e planeve edhe në komunën e tyre.
Në takim ishte prezentë edhe deputetja e Parlamentit të Kosovës nga komuna e Gjilanit Salihe Mustafa, e cila i përgëzoi gratë për punën e tyre në nivelin komunal dhe i ftoi që të jenë sa më këmbëngulëse në realizimin e të drejtave të tyre. /2L ONLINE/