Misioni i OSBE-së në Kosovë i është përgjigjur kritikave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në ankesat për mos komunikim. Përfaqësues zyrtarë të OSBE-së i thanë Radio Kosovë se kanalet e komunikimit të OSBE-së si lehtësuesi i zgjedhjeve janë të hapura.Një ditë pasi organi i zgjedhjeve e ka quajtur OSBE-në shpërfillës të institucioneve vendore, lehtësuesi i procesit zgjedhor në veri ka njoftuar se këto deklarata kanë qenë një alarm i pavërtetë.
Misioni i OSBE-së në Kosovë konsideron se po respekton pikë për pikë detyrat që i janë dhënë për rol lehtësues në procesin zgjedhor në veri, ashtu siç kanë kërkuar palët me marrëveshjen në Bruksel.
Ky mision ka kundërshtuar pohimet për probleme komunikimi dhe bashkëpunimi në relacion me institucionet vendore. Zëdhënësi i këtij misioni Nikola Gaon i ka thënë Radio Kosovës se OSBE i ka të hapur të gjitha linjat e komunikimit, transmeton RTK
Si lehtësues i zgjedhjeve, Gaon ka thënë se OSBE është duke informuar organin e zgjedhjeve në mënyrë të rregullt dhe pa asnjë hezitim.
Ai gjithashtu ka mohuar deklaratat e kryetares së KQZ-së se nuk ka marrë përgjigje nga shefi i OSBE-së. Sipas tij, ambasadori Jean-Claude Schlumberger i ka dërguar një letër Dakës me informacionet relevante hiq më larg se të hënën me 28 tetor.