Komuna e Kamenicës ka organizuar një kampanjë vetëdijësuese në lidhje me parandalimin dhe zbulimin e hershëm të sëmundjes së kancerit të gjirit.
Në këtë kampanjë morën pjesë, përfaqësuesja e Zyrës për Barazi Gjinore, Teuta Kastrati, koordinatorja e Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut, Nazmije Demolli-Kastrati, kryeinfermerja nga QKMF, Nafije Ajvazi, si dhe gra nga Komuna e Kamenicës.
Gjatë kësaj kampanje u prezantuan informacione lidhur me zbulimin dhe parandalimin e sëmundjes së kancerit të gjirit, gjithashtu edhe kryeinfermierja Ajvazi iu përgjigj pyetjeve nga pjesëmarrësit.
Kryeinfermierja, Nafije Ajvazi gjatë prezantimit shpjegoi format e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit.
“Janë disa mënyra që mund të ndihmojnë në zbulimin e kancerit të gjirit: Vetkontrolli mujor i gjirit, kontrolli nga mjeku, ekografia dhe mamografia”, shtoi Ajvazi.
Ndërsa, përfaqësuesja e Zyrës për Barazi Gjinore, Teuta Kastrati, tha se Komuna e Kamenicës çdo vit organizon kampanja të tilla për ndërgjegjësimin lidhur me kancerin e gjirit.
“Ne si zyre mundohemi që nga këto kampanja t’iu ofrojmë informata lidhur me kancerin e gjirit, dhe të ndërgjegjësojmë të gjitha gratë përfshirë edhe burrat, që të bëjnë kontrolle sa më të shpeshta”, tha ajo.
Gjithashtu edhe koordinatorja e Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut, Nazmije Demolli-Kastrati, tha se gjatë këtij muaji jemi duke u munduar që të rrisim ndërgjegjësimin e shoqërisë lidhur me parandalimin e kësaj sëmundje.
“Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, gjatë këtij muaji kemi organizuar fushata ndërgjegjësuese të luftës kundër kancerit të gjirit, jemi munduar që bashkarisht të rrisim ndërgjegjjen e shoqërisë për kontrollin dhe parandalimin e kësaj sëmundje”, tha Demolli-Kastrati.
Gjithashtu gjatë këtij muaji janë shpërndarë fletpalosje lidhur me ndërgjegjësimin e qytetarëve lidhur me kancerin e gjirit.
Zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit, shpëton jetë! /2LONLINE.com/