(2LONLINE) – Përfaqësuesit e Lëvizjes Studentore për Barazi – Studim, Kritikë, Veprim, përfaqësuesit e Klubit Politik të Studentëve si dhe përfaqësues të shoqërisë civile lokale, kanë ftuar të shtunën gjilanasit që t’i bashkohen protestës studentore kundër skandaleve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, që do të vazhdojë të hënën.
Ata mbështetje kanë marrë nga përfaqësuesit e dy grupeve të tifozëve gjilanas “Intelektualët” dhe “Skifterët”, ndërsa iu është bërë thirrje qytetarëve pa dallim që të marrin pjesë të hënën në marshin protestues në Prishtinë.
Fitim Salihu nga Klubi Politik i Studentëve, ka theksuar se kësaj radhe do të ketë organizim nga të gjitha qendra e Kosovës dhe edhe nga Gjilani. Ai tha se sot janë pran Universiteti të Gjilanit për t’i bërë thirrje të gjithë qytetarëve gjilanas që të hënën të nisen të organizuar drejt Prishtinës, për të mbërri atje në ora 12:00, ku do të jenë bashkë me qytetarë nga të gjitha qendrat e Kosovës, në mbështetje të protestuesve studentore.
“Kërkesat tona janë të qarta, të shkarkohet rektori Ibrahim Gashi, pas skandaleve të fundit në Universitetin e Prishtinës. Protestat po hyjnë tani më në javën e tretë, është një ngjarje e madhe dhe të gjithë qytetarët duhet ta përkrahin rininë, t’i dalin në mbrojte atyre prej dhunës policore”, ka thënë Salihu, për të shtuar se qëllimi i tyte është i drejtë, kërkesat e tyre nuk kontestohen, e rrjedhimisht kanë përkrahjen e të gjithë studentëve, në përjashtim të disa strukturave të organizuara brenda studentëve, të cilat janë vegla të pushtetit dhe të rektoratit.
Ndërsa, Granit Mustafa, përfaqësues i grupit të tifozëve “Skifterat”, ka thënë se kanë vendosur që të hënën t’i përkrahin protestat e studentëve dhe u ka bërë thirrje gjithë “skifterëve” që të dalin në protesta të studentëve, që të qojnë deri në fund këtë protestë me kërkesa legjitime, derisa edhe Egzon Ademi, nga grupi i tifozëve “intelektualët”, ka thënë se individualisht i kanë përkrahur protestat edhe përgjatë ditëve tjera, por se nga e hëna do të dalin edhe si grup në përkrahje. “Këtë do ta bëjmë për shkak se përkrahim një rini studentore, që po e bënë këtë për të mirën e vendit, dhe ne duhet ta përkrahim protestën sepse tekefundit edhe ne jemi krejt studentë”, ka thënë ai.
Në lidhje me përfshirjen edhe të nxënësve të shkollave të mesme në protesta, Astrit Dehari nga Lëvizja studentore për Barazi, Studim, Kritikë, Veprim tha se Universiteti i Prishtinë dhe Universitetet tjera në Kosovë janë pasuri e tërë popullit të Kosovës, pra janë edhe të studentëve, gjimnazistëve, moshës së mesme, pensionistëve, me një fjalë e të gjithë qytetarëve, “Universiteti i Prishtinës është truri i shoqërisë andaj tërë populli duhet të marrë pjesë në debate e protesta që i përkasin Universitetit për shkak se janë tatimpagues dhe formues të Universitetit”, tha ai. /2lonline/