(2L ONLINE) – Komuna e Kamenicës, respektivisht Qendra për Punë Sociale në Kamenicë së shpejti do ta ketë mbështetjen e organizatës “Terre des Hommes” me seli në Zvicër, në kuadër të projektit të saj në Kosovë.
Kjo u bë e ditur në një takim prezantues të nënkryetarit Fatmir Matoshi me përfaqësuesin e kësaj organizate në Kosovë Naim Bilalli. Terre des hommes, delegacioni në Kosovë punon në fushën e mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë që nga viti 2000.
Qëllimi kryesor është që të përkrahen institucionet qëndrore dhe komunale në krijimin e një Rrjeti të Sigurt për Mbrojtjen e Fëmijëve. Në këtë drejtim janë zhvilluar mekanizmat institucional për parandalim, detektim dhe referim të fëmijëve në rrezik dhe viktimave të neglizhimit, abuzimit, shfrytëzimit dhe trafikimit, në konflikt me ligjin, duke ju dhënë mbështetjen e nevojshme. Terre des Hommes ka themeluar në 12 komuna Tryeza për Menaxhim të Rasteve (Task Forca) ku rolin kyç për koordinimin e punës me aktere të tjere e kanë Qendrat për punë sociale.” ka thënë Naim Bilalli nga kjo organizatë.
Nënkryetari Matoshi e ka vlerësuar lart përzgjedhjen që i është bërë Komunës së Kamenicës për t`u mbështetur QPS-ja në trajtimin e rasteve të shkeljes së të drejtave të fëmijëve. Projketi synon të themelojë një grup punues i cili do të udhëhiqet nga një zyrtar i QPS-së, koordinatorja për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, disa njësite të policisë, përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësuesi i DKA-së, Përfaqësuesi i Drejtorisë së shërbimeve sociale dhe shëndetësisë, OJQ-të lokale,psikolog, pedagog, dhe organizma të tjerë.
Nënkryetari Matoshi ka thënë se marrëveshja e bashkëpunimit pritet të nënshkruhet gjatë këtij muaji, ndërsa nga “Terre des Hommes” përveq mbështetjes profesionale pritet edhe mbështetje materiale për raste të veqanta të fëmijëve me vështirësi ekonomike e familjare. /2L ONLINE/