Në seancën e sotme të Kuvendit Komunale të Gjilanit, në rend dite,ndër tjerash ishin edhe këto pika: Raporti i punës për periudhën Janar-Qershor 2018 i Kryetarit të Komunës, Raporti financiar për periudhën Janar-Qershor 2018 si dhe Raporti i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Gjilanit për vitin e përfunduar më 31 Dhjetor 2017, pika këto që ka bërë që opozita, (PDK. Vetëvendosje, dhe Nisma Socialdemokrate), të këmbëngulin për prezencën e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirit, që nuk ishte prezentë në seancë.
Për më tepër, opozita ka “kërcënuar” se do t’i braktis punimet e seancës nëse nuk sigurohet prania e kryetarit dhe tentohet të procedohet tutje me këto pika.
Riza Abdyli nga Partia Demokratike e Kosovës, Shefi i këtij Grupimi në Kuvend, ka ngrehë shqetësim me mosprezencë të kryetarit të Komunës në këtë seancë kur do të shqyrtohen tri raporte që ndërlidhet me të.
“Kreu i Komunës vazhdon të jetë i papërgjegjshëm me kryerjen e obligimeve ligjore. Propozojmë si Grup Parlamentar, që këto tri pika të shtyhen për më vonë dhe kryesuesja ta ftojë kryetarin, që ai të jetë i pranishëm në seancë. Në jemi kundër këtij rendi ditës dhe do të marrim masa tjera po që se vazhdohet tutje”, ka thënë Abdyli.
Edhe Nevzad Isufi, shef i Grupit të Këshilltarëve të Vetëvendosje, tha se pa kryetarin e komunës këto pika nuk kanë kuptim të shqyrtohen. Ai tha se Raporti i punës së kryetarit është çështje e veçantë për të cilën prania e tij do të duhej të ishte e domosdoshme, së paku dy herë në vit. Edhe ai ka paralajmëruar se pa kryetarin nuk janë për shqyrtim të këtyre pikave.
Avdyl Aliu, nga LDK-ja nuk e ka vlerësuar të qëllueshme këmbënguljen e opozitës, që patjetër të jetë kreu I komunës prezentë, pasi që sipas tij, në seancë është nënkryetari i komunës por edhe drejtorë e drejtorive, pastaj këshilltarët e kanë materialin. Por, duke ironizuar opozitën, Aliu tha se prania e kryetarit edhe mund të plotësohet nëse bash opozitën e ka marr malli për ta parë, përndryshe ata do t’i marrin të gjitha përgjigjet, sqarimet… nga të pranishmit tjerë. (nënkryetari e drejtorët.
Edhe, Mimoza Kadriu, nga Nisma Socialdemokrate, Shefe e Grupit të Këshilltarëve të këtij subjekti tha se shpreh shqetësimin e njëjtë për mospranimin e kryetarit të komunës në këtë seancë dhe se për këto çështje duhet të jetë i pranishëm dhe se e ka për obligim, ndërsa duke iu referuar “provokimet”të Aliut të LDK-së, ajo tha se nuk është që opozitën e ka marr malli për ta parë kryetarin, por thjesht ai e ka obligim, e në këtë vazhdë edhe Riza Abdyli (PDK), tha se sa për mall, ne dimë ku gjejmë kryetarin, vetëm në zyrën e tij jo, por këtu ai duhet të vijë sepse e ka obligim ligjor kur trajtohen çështje të tilla, e jo të tregohet mospërfillës.
Një situatë e tillë e krijuar, kur pa opozitën, kësaj here pozita nuk do të kishte kuorum, për shkak të mungesës së anëtarëve të saj ( nuk është bërë akoma zëvendësimi i disa këshilltarëve, që kanë pranuar detyra të reja me këshilltarët që janë në radhë), kryesuesja e Kuvendit Shpresa Kurteshi – Emini ka ftuar në konsultë shefat e grupeve të këshilltarëve, ku pas kësaj konsulte, kryesuesja e Kuvendit ka thënë se janë dakorduar që këto pika të lihen për fund të seancës, për t’u siguruar prezenca e kryetarit të komunës dhe se caktoi pauzë për t’u rikthyer e vazhduar me procedim të pikave të rendit të punës.