Opozita ka kërkuar të premten nga kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit ta caktojë ditën e vazhdimit të seancës së fundit e cila sipas tyre është ndërprerë, e jo mbyllur edhe atë në mënyrë të jashtëligjshme dhe kundër rregulloreve, transmeton 2LONLINE.com.
Riza Abdyli (PDK), Nevzad Isufi (Vetëvendosje) dhe Ibish Ibishi (I pavarur), anëtarë të Kuvendit komunal të Gjilanit, kanë ftuar një konferencë për gazetarë, për të përçuar kërkesën e tyre drejtuar kryesueses së Kuvendit Komunal, për të ftuar seancën që do të ishte vazhdimi i seancës së fundit.
Në fakt në seancën e fundit të datës 9 dhjetor, Kuvendi Komunal i Gjilanit ishte mbledhur për të diskutuar rreth lokacionit të ri të varrezave, që është planifikuar në lagjen Zabeli, por që po kundërshtohet nga opozita. Kuvendi i zhvilloi punimet me një debat të gjerë dhe polarizues, në momente edhe me tensione, por në fund nuk mori asnjë vendim tjetër, përkundër që opozita insistonte që propozimet e saj të dalin në votim.
Riza Abdyli ka thënë se opozita është bashkuar dhe janë dakorduar për të reaguar njëzë për zhvillimeve fundit. Në fakt ai tha se reagimin e tyre e kanë vonuar qëllimisht disa ditë për t’i dhënë mundësi pozitës, kryesueses së Kuvendit të reflektojnë dhe ta kuptojnë gabimin e me këtë edhe ta ftojnë vet seancën e radhës që do të ishte vazhdim i seancës së 9 dhjetorit, transmeton 2LONLINE.com
Abdyli tha se me që kjo nuk ndodhi atëherë ftuan këtë konferencë për ta bërë publike qëndrimin e opozitës së bashkuar edhe për kryesueses, edhe për kryetarin, edhe për të gjithë të tjerët që janë përgjegjës se nëse seanca e jashtëzakonshme nuk ftohet së shpejti për të vazhduar, sepse mbyllja e saj ka qenë e jashtëligjshme dhe kundër rregulloreve, opozita nuk do të merr pjesë në asnjë ftesë tjetër nga KK-ja, as në kuvend, as në komitete. Për këtë ai tha se janë të vendosur dhe unik.
Edhe Nevzad Isufi tha se tani e dinë të gjithë se seanca e 9 dhjetorit, për opozitën nuk ka përfunduar sepse ishte e pazakontë që kryesuesja me lëshua seancën.. Ai tha se ishte hera e dytë që ftuan seancë të jashtëzakonshme dhe për to pati shkelje duke filluar nga vonesat, bojkotin e pozitës e deri te mbyllja, përkatësisht ndërprerjen e seancës së fundit edhe atë jashtëligjshëm dhe kundër rregulloreve, nga ana e kryesueses së kuvendit, transmeton 2LONLINE.com.
Isufi tha se edhe ashtu rregulloret po shkelen nga pozita pothuajse në çdo seancë por herë ne fundit pati shkelje drastike.
Ai tha se çështja e varrezave e cila ishte pikë e rendit të ditës është çështja me rëndësi për qytetarët dhe nuk është as e pozitës e as e opozitës, andaj duhet të merret një vendim i arsyeshëm që ofron zgjidhje për qytetar, por po shihet se pozita nuk është e interesuar për të ofruar zgjidhje.
Isufi po ashtu tha se kryesuesja do të duhej ta kryejë punën e saj për të cilën është zgjedhur dhe jo tjetërkush nga subjekti i tij ta bëjë punën e saj.
Edhe Ibish Ibishi, tha se arsyeja kryesore e kësaj konference është thirrja publike që përgjegjësit e Kuvendit, ta ftojnë seancën, thërrasin pra vazhdimin e seancës së ndërprerë njëanshëm dhe arbitrarisht, transmeton 2LONLINE.com.
Ai tha se janë plotësisht të indinjuar dhe nuk pajtohem me forma të tilla të ndërprerjes së tillë së seancave të një rendisë të veçantë. Ibishi tha se pushteti nuk është i interesuar që tema të ndejshme që kanë të bëjnë me interesa të qytetarëve nuk janë në gjendje me u marr me to, e me i përfunduar.