Në selinë e AAK-së, Agim Veliu (LDK), Ardian Gjini (AAK) dhe Bilall Sherifi (Nisma) kanë bërë të ditur se këto tri parti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë arritur marrëveshje që kreu i AAK-së Ramush Haradinaj të jetë kryeministër i vendit, kurse posti i kryetarit të Kuvendit t’i takojë LDK-së e poashtu edhe i Presidentit në harmoni me Kushtetutën. Nisma do të përfaqësohet me një zëvendëskryeministër.
Teksti i plotë i marrëveshjes: “Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA, janë bashkuar dhe kanë vendosur që vendit t’i japin një qeveri të kthimit të shpresës.
Qeveria e kthimit të shpresës do të fokusohet në zhvillimin ekonomik, krijim të vendeve të punës, luftë të pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Qeveria do të punojë me ngulm për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE.
Ne, bashkërisht kemi vendosur që Ramush Haradinaj të jetë i nominuari ynë i përbashkët për kryeministër. Kryetari i Kuvendit i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës e po ashtu edhe presidenti në harmoni me kushtetutën.
Nisma do të përfaqësohet me një zëvendëskryeministër. Të gjitha përgjegjësit e tjera politike dhe institucionale do të ndahen proporcionalisht sipas fuqisë politike në Kuvend. Zotohemi t’i vazhdojmë konsultat me pjesën tjetër të spektrit opozitar dhe partitë e komuniteteve”.