“…Betohem se detyrën time si ushtrues detyre të kryetarit të Komunës, do ta kryej me nderë dhe dinjitet…”, ka thënë, ndër tjerash, Olti Suliqi, i cili ka pranuar detyrën e “kryetarit” të komunës së Gjilanit, si simbolikë e shënimit të 1 Qershorit Ditës Ndërkombëtar të Fëmijëve.
Ndryshe, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ia ka dorëzuar detyrën Olti Suliqit, i cili së bashku me ekipin e tij (Andi Daku – Ushtrues detyre i nënkryetarit të Komunës), Kanina Mehmeti – Ushtrues detyre e kryesueses së Kuvendit, Melisa Jakupi – Ushtrues detyre e shefit të Kabinetit të Kryetarit, Fjolla Murati – Ushtrues detyre e asistentes së Kryetarit të Komunës), do ta ushtrojnë këtë funksion për dy ditë.
Suliqi u betua se këtë post do ta zotojë me dinjitet dhe përgjegjësi të plotë gjersa ka falënderuar kryetarin Haziri për mbështetje të vazhdueshme që po bën në mirëqenien e fëmijëve të komunës së Gjilanit.
“Pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, mu dha mundësia që të jem ushtrues detyre i Kryetarit të Komunës. Ky post për mua është një nderë dhe privilegj i veçantë, në të njëjtën kohë edhe përgjegjësi e madhe. Betohem se do ta kryej punën me nderë dhe dinjitet, të merrem me çështjet me të cilat preokupohen fëmijët”, ka thënë Suliqi.
Suliqi, tani si “i pari” i Komunës, bashkë me ekipën e tij, kanë shpalosur disa pano para Teatrit të qytetit për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të fëmijëve.
Suliqi ka uruar të gjithë fëmijët e botës për ditën e tyre me dëshirën që të dëgjohet zëri i fëmijëve dhe t’i gëzojnë të drejtat e tyre.
Po ashtu vizita janë bërë edhe në Policinë e Kosovës, për tu njoftuar me rastet e abuzimeve dhe shkeljes të së drejtave të fëmijëve. pastaj Klinikën Pediatrike të Spitalit të Përgjithshëm, si dhe tek institucioni parafillorë “Poema”, ku kanë parë nga afër fëmijët se si trajtohen në Pediatrinë e Spitalit Rajonal dhe në disa nga çerdhet e qytetit.
Suliqi nuk mungoi edhe në aktivitetet kulturore e artistike të Ditës ndërkombëtare të fëmijëve që u organizua nga komuna e Gjilanit, e gjithashtu ka falënderuar edhe drejtorin e DKA-së Nazim Gagica për angazhimin e tij në avancimin e cilësisë së arsimit duke krijuar kushte sa më të mira për nxënësit e të gjitha shkollave të Komunës së Gjilanit.
Përndryshe, Olti Suliqi mbanë postin e kryetarit të Asamblesë së fëmijëve në komunën e Gjilanit. Ai ndër tjerash merr pjesë edhe në aktivitete e seminare të ndryshme që lidhen direkt më fëmijët dhe të drejtat e tyre.
Ai se fundmi ka ndjekur seminarin me temë “Hartimi I planit vjetor të punës” ku si çështje, Suliqi ka ngritur fenomenin e “Bullizmit” nëpër shkolla për çka ka kërkuar denoncimin e rasteve të bullizmit dhe mbrojtjen e viktimave.
Suliqi ka premtuar se nga pozita e drejtuesit të Asamblesë së Fëmijëve do të angazhohet për fëmijë që ata të kenë fëmijëri të shëndosh e të jenë të lumtur duke i realizuar të gjitha të drejtat e tyre.