(2L ONLINE) – OJQ “Fortesa” reagon ndaj sulmeve të dy asamblistëve komunalë, Arsim Thaçi dhe Besnik Rrudhani në seancën e sotme të Kuvendit. Fortesa kërkon nga LDK dhe VV të japin shpjegime dhe të distancohen nga akuzat dhe shpifjet e këtyre individëve që i përfaqësojnë në Kuvendin Komunal.
“Pohimet e Arsim Thacit dhe Besnik Rrudhanit për afërsi dhe klientelë me pushtetin, janë të pavërteta dhe të pasakta. Fortesa, ashtu sikurse organizatat e tjera përfituese ka pranuar një fond nga Komuna dhe e ka kryer me sukses një vizitë studimore-punëtori në Ohër të Maqedonisë, si pjesë e një projekti afatgjatë për fuqizimin e shoqërisë civile në Kamenicë”, thuhet në reagim.
Fortesa kërkon nga Arsim Thaci e Besnik Rrudhani, në vend se të luajnë rolin e zhurmuesve, shpifësve e trilluesve, të paraqesin hallet e brengat e qytetarëve në Kuvend e të kryejnë detyrat dhe obligimet e tyre.
“Komplekset e tyre nuk janë për tu shfaqur në Kuvend. Me këto dhe veprime të tjera, këta asambleistë po vërtetojnë se nuk e kanë përgatitjen dhe pjekurinë e duhur për të qenë përfaqësues të qytetarëve në organin më të rëndësishëm të Komunës.
Tendencat e tyre për të ushtruar presion ndaj organizatës sonë, janë të mjera dhe te kota. Edhe njëherë kërkojmë nga subjektet politike LDK dhe VV që të distancohen nga gjuha denigruse dhe sulmet e këtyre këshilltarëve, që më së paku janë zë i qytetarëve në Kuvend.
Ne besojmë se deklaratat e tyre janë personale dhe nuk përfaqësojnë qëndrimin politik te LDK-se dhe VV-se”, përfundon reagimi.
OJQ “Fortesa” kërkon nga qeveria komunale t’i kushtojë më tepër vëmendje dhe të krijojë më shumë hapësirë e mundësi për bashkëpunim me OJQ-të. /2L ONLINE/