Në Akademinë e Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë “Dr. Franjo Tudman” në Zagreb, ka përfunduar me sukses “Kursin e Diplomacisë së Mbrojtjes” nënkolonel Fatlum Demiri.
Nënkolonel Demiri përpos përkushtimit dhe disiplinës shembullore të treguar, ka arritur rezultate të shkëlqyera dhe ka treguar sukses të jashtëzakonshëm përgjatë kësaj periudhe kohore duke e prezantuar Kosovën, veçanërisht FSK-në në mënyrën më të mirë të mundshme. Në këtë kurs kanë marrë pjesë 20 oficer, nga katër (4) shtete të ndryshme të Evropës.
Në këtë ceremoni solemne, i pranishëm ishte Zëvendës Komandant i Akademisë së Mbrojtjes, gjeneral major Blaž Beretin, Atasheu Ushtarak i Republikës së Kosovës në Kroaci, Nënkolonel Shpend Zogaj, së bashku me atashe të tjerë të korit diplomatik ushtarak në Republikën e Kroacisë.
“Kursi i Diplomacisë së Mbrojtjes” ka për qëllim që të përgatis oficerët e gradave Major – Kolonel për detyra ushtarako – diplomatike, detyra në misione ushtarake, si dhe detyra që lidhen me aktivitetet ndërkombëtare dhe protokollare. /2LONLINE/