Oficeri Bajram Geci nga Forca e Sigurisë së Kosovës përfundoi detyrën e Instruktorit në Akademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst në Mbretërinë e Bashkuar.
Toger Bajram Geci nga Forca e Sigurisë së Kosovës ka përfunduar angazhimin në detyrën e Instruktorit në Akademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst në Mbretërinë e Bashkuar. Toger Geci, oficer nga Qendra e Studimeve Universitare/Akademia e Mbrojtjes e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes ka qenë i angazhuar në detyrën e Instuktorit në Sandhurst në kuadër të planit të bashkëpunimit bilateral mes Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.
Akademia Ushtarake Mbretërore Sandhurst është një nga akademitë më prestigjioze ushtarake ndërkombëtare e cila përgatit oficerë të rinj për ushtrinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe shumë vendeve tjera partnere pjesëmarrëse në procesin e edukimit ushtarak.
Angazhimi dhe përkushtimi i Toger Geci ka qenë i jashtëzakonshëm në ndarjen e njohurive dhe përvojës së tij tek oficerët e rinj duke reflektuar vlerat e Republikës së Kosovës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës. Toger Geci gjatë kohës së angazhimit të tij në zhvillimin e oficerëve të rinj në Sanhurst është vlerësuar lart nga stafi i akademisë dhe kolegët e tij. Toger Geci është një nga oficerët e shumtë të edukuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Akademia Ushtarake Mbretërore Sandhurst dhe ushtria e Mbretërisë së Bashkuar janë duke e mbështetur me përkushtim zhvillimin dhe ngritjen e mëtejme profesionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të jenë gjithmonë krah miqëve dhe partnerëve strategjik. /2LONLINE/