Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i shoqëruar nga gjeneralmajor Gëzim Hazrolli dhe gjeneral brigade Irfete Spahiu, sot kanë pritur oficerët që janë duke ndjekur ‘Kursin e Lartë për Siguri dhe Mbrojtje’ (KLSM), nga Kolegji i Mbrojtjes dhe i Sigurisë nga Republika e Shqipërisë.
Si shtet anëtar i NATO-s, Akademia e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë është institucion arsimor që ofron shkollimin e kuadrove të reja në programe të licencuara nga NATO. Në mesin e këtyre programeve është edhe Kursi i Lartë për Siguri dhe Mbrojtje (KLSM), kursantët e të cilit program, drejtues të nivelit të lartë të institucioneve shqiptare të sigurisë dhe personelit ushtarak e civilë të vendeve anëtare të NATO-s, si Greqia, Italia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Gjeorgjia (që ka partneritet për paqe me NATO-n), vizituan Ministrinë e Mbrojtjes.
Para të pranishmëve Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka mbajtur një ligjëratë, ku janë trajtuar temat nga fusha e sigurisë, mbrojtjes dhe zhvillimeve politike në rajon dhe më gjerë.
Në këtë takim ai ka folur për një mori aspektesh të ndryshme të ndërveprimit politik në proceset zhvillimore të Ballkanit Perëndimor, luftës në Ukrainë dhe ndikimit rus në Ballkan. Reformën institucionale që po ndjek Republika e Kosovës në fushën e mbrojtjes, transformimi në proceset e shtetndërtimit me qëllim kryesor anëtarësimin në NATO dhe integrimin në BE. Këto dy aleanca të ndryshme por me të njëjtin qëllim për qytetërimin perëndimor, mbrojtjen e vlerave demokratike, ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të gjithëmbarshëm.
Në funksion të interesave të përbashkëta Ministri Mehaj ka theksuar domosdoshmërinë e përmirësimit të bashkëpunimit rajonal në dobi të sigurisë së shtuar në çdo vend të Ballkanit Perëndimor, hapat që është duke ndërmarrë Kosova dhe vizionin që ka si shtet për të ardhmen.
E ardhmja evropiane e Kosovës është pashkëputshëm e ndërlidhur me bashkëpunimin me shtetet partnere, aleatët të cilët kanë një armik të përbashkët, agresorin rus dhe luftën hibride.
Ligjërata është ndjekur me interesim të madh dhe në fund nga oficerët e pranishmit janë shtruar pyetje të ndryshme për temat e diskutuara. /2LONLINE/