Shumica e aksidenteve në Kosovë, për fat të keq, ndodhin për fajin e faktorit njeri, si pasojë e aftësimit të pamjaftueshëm të kandidatëve për shofer nga një numër i auto-shkollave, të cilat bëjnë regjistrime me çmime simbolike.
Shkruan: Xhylije Ibrahimi
Me këso çmime, siç po reklamohen këto ditë, për nder të 7 e 8 marsit, që ulen nën 100 euro, askush nuk ka llogari të aftësojë mirëfilli një kandidat për shofer, ku pos pjesës teorike, parashihen 20 orë praktikë. Për një çmim prej 100 euro, ndoshta edhe më pak, 20 orë vozitje nuk mund t`i bësh as me veturë private, me taksi jo se jo e lere më me auto-shkollë, ku instruktori ka përgjegjësitë e veta të jashtëzakonshme.
Është e habitshme se si asnjë mekanizëm shtetëror nuk reagon ndaj kësaj dukurie, që tashmë është bërë praktikë për 7 e 8 mars, kur auto-shkollat bëjnë oferta të tilla, që në shikim të parë, dorën në zemër, duken shumë joshëse, por në fakt janë kobzeza për të ardhmen e atij kandidati që lakmon të bëhet shofer për një çmim aq të ultë.
Unë si instruktor-ligjëruese dhe instruktor për shofer, me një përvojë gati njëzet vjeçare në këtë profesion, do të dëshiroja që të bëhet një analizë e aksidenteve edhe nga pikëpamja e aftësimit të kandidatëve, për të verifikuar edhe auto-shkollat ku janë aftësuar kandidatët si dhe instruktorët që kanë punuar me ta. ( E pse jo edhe pyetësin/egzaminerin)
Për një aksident trafiku, tragjik, ose vetëm me dëmtime materiale, hiq rrethanave të tjera, shkakun duhet kërkuar edhe përtej vendit të ngjarjes, atje ku është bërë aftësimi i shoferit që ka qenë duke drejtuar një automjet në momentin kritik.
Personalisht, pranoj të hetohem për kandidatët e mi, që janë me qindra, në të gjitha rastet kur ata kanë qenë pjesëmarrës në një aksident të rëndë, i cili vërtetohet se ka ndodhur për fajin e shoferit.
Gjasat janë minimale që një kandidat i aftësuar si duhet, të shkaktojë aksident trafiku.
Ofertat e lira po i marrin në qafë të rinjtë. Aftësimi i tyre po bëhet shkel e shko. Zanafilla e aksidenteve qëndron këtu.
Shteti ka mekanizma t`i ndalojë këto gjera. Duhet vepruar tani. Nesër është vonë.
/autorja është instruktore/