Gjilan – (2LONLINE) – Të enjten në Gjilan, në dy termine, ora 17:30 dhe 18:30 , në parkun e qytetit Teatri ODA paraqet shfaqjen “Muret e padukshme” (INVISIBLE WALLS). Kjo shfaqje vije në Gjilan edhe pas prezantimit të suksesshëm në festivalin Oerol në Holandë dhe në disa qytete tjera të Kosovës. “Muret e padukshme” – produksion i Teatrit ODA i destinuar për hapësira publike është realizuar në bashkëpunim me rrjetin IN SITU – rrjet evropian i organizatave artistike në hapësira publike, ku ODA është i vetmi anëtar që vjen nga shtetet jashtë Bashkimit Evropian.
Projekti është zhvilluar përmes tri rezidencave artistike që ka pasur në teatrin ODA, në maj dhe tetor të vitit 2012 si dhe rezidencën e fundit gjatë muajve maj dhe qershor 2013. “Muret e padukshme” u zhvillua tutje dhe u shfaq në Holandë në festivalin Oerol. Oerol ka një traditë mbi 20 vjeçare si festival dhe organizohet në ishullin Terschelling të Holandës.
Këtë vit ka pasur rreth 70 produksione me mesatarisht 50.000 vizitorë ditorë. “Muret e padukshme” ka pasur gjithsej 28 prezantime me numër të jashtëzakonshëm të shikuesve dhe me reagime tejet pozitive si nga shikuesit dhe mediat, po ashtu edhe nga profesionistët prezent në Festival. “Muret e padukshme” ka marrë ftesë të shfaqet edhe në 5 festivale tjera evropianë gjatë vitit 2014.
“Muret e padukshme” është një rrugëtim i përvojës me njerëz të ngujuar, në izolim, apo të rrethuar me mure të padukshme. Materiali me të cilin është punuar është sjellë nga aktorët dhe përvojat e tyre paraprake. Disa nga përvojat janë të aktorëve, përderisa të tjerat janë të njerëzve që ata i njohin. Zgjedhja e materialit ka qenë e rastësishme, varësisht çka është sjellë gjatë punës dhe është përdorur për të zhvilluar artistikisht situata të përkufizime fizike e psikologjike.
Ky rrugëtim është i bazuar në situata të vërteta të izolimit, nga mungesa e lirisë për lëvizje të lirë dhe shijimit të së drejtës elementare të lirisë, nëpër kërcënimet fizike kur je në një hapësirë publike e deri te situatat e ngujimit për shkak të burokracisë, paragjykimit apo frikës për të dalë jashtë mureve të padukshme, të cilat nëse nuk na janë krijuar, i kemi krijuar vetë.
Producentë: Florent Mehmeti, Lirak Çelaj, Teatri ODA, Prishtinë Producent ndërkombëtar: Neil Butler, UZ Arts, Glasgow, Britania e Madhe Regjisor: Florent Mehmeti, Kosovë Bashkëregjisor: Jon Beedell, Britania e Madhe Artistë vizuel / instalacioni /: Henry Jesionka, Austri / Kanada dhe Veton Gusia, Kosovë Koreograf: Ali Salmi, France Muzika / Music: Armend Xhaferi, Kosovë Aktorë: Kushtrim Qerimi, Liridona Shehu, Eshref Durmishi, Semira Latifi dhe Gani Rrahmani
Kohëzgjatja: 35 minuta. /2lonline/