Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj lidhur me sulmet verbale të ditëve të fundit, por edhe ato të vazhdueshme, ndaj ndërmarjeve private në Kosovë. Duke rikujtuar institucionet e vendit se pikërisht ndërmarjet private kanë bartur për vite me radhë barrën e punësimit dhe të zhvillimit ekonomik të vendit, Oda Amerikane shpreh shqetësimin se politizimi dhe sulmet ndaj këtyre ndërmarjeve për qëllime politike janë veprime nga të cilat partitë politike dhe bartësit e institucioneve duhet të përmbahen.
Oda Amerikane rikujton se ndërmarjet si Devolli Corporation dhe Devolli Group kanë luajtur një rol të rëndësishëm në transformimin e ekonomisë së Kosovës, duke fuqizuar kapacitetet prodhuese dhe rritur eksportet, duke kontribuar në përmirësimin e bilancit të pagesave të Republikës së Kosovës.
Ndërmarjet private janë promovuesit kryesorë të potencialeve dhe interesave ekonomike të Kosovës, përfshirë tërheqjen e investimeve të huaja direkte. Sulmet e vazhdueshme ndaj tyre cenojnë reputacionin e këtyre ndërmarjeve dhe përkeqësojnë më tej klimën e investimeve në vend, e cila tashmë ka shënuar rënie, siç evidentohet në Deklaratat e Klimës së Investimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Nëse institucionet shtetërore dhe partitë politike nuk janë në gjendje të ofrojnë mbështetje për zhvillimin e mëtejshëm të ndërmarjeve private, atëherë duhet të shmangin përfshirjen e tyre në diskursin politik. Në të kundërtën, ato do të mbajnë përgjegjësi për përkeqësimin e treguesve socio-ekonomikë, përshirë cenimin e prospekteve për tërheqjen e investimeve të huaja. /2LONLINE/