Oda e Afarizmit të Kosovës pas njoftimit përmes mediave rreth masave të reja që pritet të hyjnë në fuqi nga java e ardhshme, kërkon nga Institucionet e vendit që asnjë kufizim apo mbyllje totale e biznesit, të mos bëhet pa përkrahje paraprake financiare.
Kjo vie si rrjedhojë e gjendjes shumë të vështirë me të cilën po përballet sektori privat si pasojë e pandemisë dhe përkrahjes së mangët që është ofruar deri më tani nga ana e institucioneve, duke rrezikuar kështu jo vetëm humbjen e vendeve të punës por edhe mirëqenien dhe operimin e mëtejshëm të operatorëve ekonomik.
Andaj, lidhur me këtë OAK konsideron që është më se e rëndësishme që të gjinden mënyra për përkrahjen financiare të kompanive të cilat do të ndikohen direkt nga këto masa.
OAK është ithtare e faktit që çdo masë duke përfshirë mbajtjen e maskave, distancën sociale e higjiena personale të respektohen në përpikmëri për mbrojtje të shëndetit publik, por që çdo vendim për mbyllje duhet të ketë mbështetje direkte për bizneset dhe punëtorët e tyre për humbjet që po u shkaktohen nga të njejtat duke i’u ndaluar të drejtën e punës.
OAK konsideron që sektori privat aktualisht është shumë i rënduar si rezultat i pandemisë, andaj nuk ka kapacitete që të përballoj i vetëm pasojat e mëtutjeshme shkaktuar nga pandemia, ku si rezultat i mospërkrahjes financiare bizneset e kanë të pamundur që të mbajnë në punë numrin e të punësuarve që kanë pasur deri më tani.