OAK ka analizuar idenë e markës së identifikimit të bashkëpunimit rajonal ku është vendosur emërtimi i ri “BALLKANI I HAPUR” dhe duke marrë parasysh pengesat e mëdha me të cilat Kosova ballafaqohet vazhdimisht për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara më parë, siç është rasti i CEFTA-së, mbajmë qëndrimin tonë kundër këtij bashkëpunimi, i cili bëhet jashtë përfshirjes së Bashkimit Europian.
Oda e Afarizmit të Kosovës ka përcjellur me vëmendje mbajtjen e Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal, që u realizua në Shkup, në mes të kryeministrave të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, forum ky gjatë të cilit u nënshkruan tri marrëveshjeve, konkretisht, memorandume të bashkëpunimit në mes këtyre shteteve, duke përfshirë: Mbështetje të ndërsjellët në mes tri vendeve në raste të katastrofave natyrore dhe rasteve të krizave; Krijimi i lehtësirave për qarkullimin e mallrave në mes këtyre vendeve në import dhe eksport, me qëllim të eleminimit të barrierave kufitare dhe rritja e tregtisë së ndërsjellët; dhe Qarkullimi i fuqisë punëtore në tregun e punës, në këto tri vende.
Bazuar në faktin që brenda këtyre shteteve, është një shtet që nuk e njeh Republikën e Kosovës, duke i krijuar kështu barriera të vazhdueshme dhe vështirësi në qarkullim, për të cilat BE është e informuar, OAK konsideron që një marrëveshje e tillë, jashtë organizimit të BE-së, me një shtet që jo vetëm që nuk e njeh Republikën e Kosovës por investon mosnjohje e deri në zhbërjen e shtetit tonë, është tejet e dëmshme. Me këtë ftojmë edhe shtetin amë, Republikën e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që një veprim të tillë të analizojnë më mirë.
Jemi dëshmitar të faktit që deri më tani asnjë marrëveshje e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë ato në Bruksel, nuk është respektuar asnjëherë nga shteti Serb, prandaj nuk e shohim të arsyeshme vazhdimin tutje tek mekanizmat e tjerë meqenëse vetë CEFTA nuk po respektohet nga kjo e fundit.
OAK parimisht është pro marrëveshjeve të cila i kushtojnë rëndësi të madhe dialogut që kontribuon në paqe dhe stabilitet në rajon, duke zhvilluar kështu marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal, në mënyrë që të avancojmë qëllimet tona drejt integrimit europian.
Megjithatë, në aspektin e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit, nuk kemi shënuar ndonjë përparim substancial. Kosova ka qenë efektive në përmbushjen e detyrimeve të saj dhe ka ofruar bashkëpunim të ngushtë me BE-në por, e njëjta nuk mund të thuhet edhe për Serbinë.
Andaj, pjesëmarrjën e Kosovës në nismën për “BALLKANIN E HAPUR” nuk e konsiderojmë se është dobiprurës dhe efektive për vendin tonë kur rikujtojmë se asnjë nga marrëveshjet paraprake të nënshkruara deri më tani nuk është respektuar nga Serbia dhe nuk kanë prodhuar ndonjë efekt pozitiv. /2LONLINE.com/