Rivlerësimi i mallit, mosnjohja e plotë e lëndës së parë, procedura e zgjatur e zhdoganimit, akciza për aditivët si dhe garancionet për autorizimin e përpunuesve të brendshëm ishin disa ndër temat e diskutimit në takimin e përbashkët të realizuar në zyret e Odës së Afarizmit të Kosovës ndërmjet Drejtorit të Doganës, Agron Llugaliu dhe bizneseve anëtare.
Fokus kryesor i takimit ishte mundësia e diskutimit të dy palëve për sfidat si dhe mundësitë e tejkalimit të tyre.
Kryetari i OAK-së, Skënder Krasniqi, theksoi që ky takim është realizuar në vazhdën e takimeve që oda po organizon për bizneset anëtare dhe përfaqësuesit e institucioneve, pasi që konsiderohet si një ndër opsionet më të përshtatshme për trajtimin dhe eliminim e barrierave që hasin.
Ndërsa, Drejtori Agron Llugaliu shtoi që mirëpret takimet e tilla që mundësojnë identifikimin e dobësive si dhe zgjidhjen e tyre pasi që synojnë që të krijohet një komunikim dhe bashkëpunim i vazhdueshëm me sektorin privat.
Ai shtoi që në vazhdimësi po ikurajojnë bizneset të aplikojnë dhe të njihen si operator të autorizuar ekonomik, pasi që ka shumë përfitime në këtë drejtim, ndërsa theksoi që si rrjedhojë e kërkesave të bizneseve tani të gjithë kallapët janë të liruar nga pagesa për taksë doganore.
Në pjesën e diskutimit të hapur, bizneset shprehën shqetësimet e tyre, ndër të cilat janë rivlerësimi i vazhdueshëm i mallrave në doganë, obligimi i pagesës së akcizës për aditivët dhe mos kategorizimi i tyre varësisht nga përdorimi, e për të cilat vendet e rajonit kanë lehtësira, mos pranimi i aksesorëve të cilët janë të domosdoshëm për të nxjerrë produkte finale, kontrolla e vazhdueshme për kompanitë serioze në pikat doganore, rivlerësimi i mallit të blerë në ankande apo me fatura dhe pagesa të rregullta bankare, dëmtimi i pakove gjatë hapjes, kolonat e gjata në pika doganore si rrjedhojë e neglizhencës së zyrtarëve doganorë…
Dogana e Kosovës shprehu gatishmërinë për trajtimin e çdo kërkese të adresuar në takim me qëllim të rritjes së bashkëpunimit për eleminimin e barrierave si dhe theksua që aktualisht janë duke punuar në drejtim të ndryshimeve ligjore të cilat parashohin shumë lehtësira për operatorët ekonomik. /2LONLINE/