Fokus i takimit ishte diskutimi i përbashkët lidhur me barrierat me të cilat bizneset po ballafaqohen gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, me qëllim që së bashku të trajtohen dhe të ndërmerren iniciativa për përmirësimin e infrastrukturës ligjore e cila do të mundësoj eliminimin e këtyre të fundit.
OAK kërkoi nga Komisioni përshpejtim të aprovimit të shumë ligjeve dhe ndihmë urgjente si rezultat i gjendjes së rëndë në të cilën gjendet biznesi aktualisht.
Përfaqësues të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) në përbërje me Skënder Krasniqi Kryetar, Arsim Selmonmusaj Nënkryetar, Qëndresa Ibrahimi Koordinatore dhe Gramos Zekaj Zyrtar Ligjor, u pritën në takim nga anëtarët e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, të drejtuar nga kryesuesi Ferhat Shala dhe anëtarët Mimoza Kusari Lila, Pal Lekaj, Driton Hyseni, Jeta Statovci dhe Valentina Bunjaku Rexhepi.
Kryetari i OAK-së Skënder Krasniqi duke falënderuar Kryesuesin dhe anëtarët e Komisionit për gatishmërinë për takim, theksoi që është e rëndësishme që të rrisim bashkëpunimin mes sektorit privat dhe komisioneve parlamentare në mënyrë që të shkëmbehen idetë dhe përvojat për përmirësimin e klimës së të bërit biznes në vend.
Sipas Krasniqit, aktualisht është rënduar situata e të bërit biznes si rrjedhojë e ndryshimeve të mëdha dhe rritjes enorme të çmimeve, prandaj është mëse e nevojshme të bëhen ndërhyrje të shpejta nga Institucionet vendore përmes mekanizmave adekuat dhe politikave fiskale.
Disa ndër propozimet e OAK-së, e të cilat nëse trajtohen së bashku me Komisionin do të zgjidheshin shumë më lehtë, përfshijnë funksionalizimin e Ligjit për Tregti të Brendshme përmes së cilit do të rregullohej çështja e të bërit biznes në vend, nevoja e menjëherëshme për krijim të ofertës së të bërit biznes në Kosovë, ZRRE të blerjë energjinë solare të prodhuar nga bizneset dhe të vendoset një çmim për këtë, eliminimi i pengesave për investime në sektorin e minierave që vijnë si rezultat i Udhëzimeve Administrative e të ngjashme, ndryshim plotësimet në legjislacion, përshkallëzimi i TVSH-së, luftimi i informalitetit në vend, sistemi dual i arsimit duke përgatitur kuadro në përputhje me nevojat e tregut, subvencionimi i produkteve vendore, rritja e punësimit e mirëqenies në përgjithësi.
Kryesuesi i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferhat Shala u uroi mirëseardhje përfaqëuesve të OAK-së duke i falënderuar për elaborimin dhe identifikimin e këtyre sfidave. Shala konsideroi që është mëse e nevojshme të rritet dinamika e bashkëpunimit dhe shprehu vullnetin e Komisionit për të pranuar sugjerimet, propozimet dhe vërejtjet për përmirësim të legjislacionit.
Anëtari i Komisionit Pal Lekaj vlerësoi çështjet e ngritura nga OAK duke i cilësuar përmbajësore dhe në favor të zgjidhjeve. Lekaj theksoi që situata me ngritjen enorme të cmimeve ka rritur edhe shportën e konsumatorit duke e rënduar edhe më shumë situatën, andaj shumë ligje duhet të amandamentohen, të vendosen kritere strikte për hapjen e bizneseve, dhe të mendojmë për strukturimin e tregtisë së brendshme.
Anëtarja e Komisionit Mimoza Kusari Lila falënderoi bashkëpunëtorët e OAK-së për konstruktivitetin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në komision e dëgjime publike duke ofruar propozime e rekomandime konkrete. Kusari Lila theksoi që si komision mund të kontribuojnë tek institucionet të cilat raportojnë në këtë komision siç është rasti me ZRRE dhe KPMM.
Komisioni vlerësoi OAK-në për angazhimin e vazhdueshëm në dëgjimet publike përmes përcjelljes së komenteve dhe rekomandimeve konkrete e përmbajtësore si dhe shtuan që do të bëjnë ndikim tek institucionet të cilat raportojnë tek ata që të bëhen ndryshimet nevojshme.
Zëri i bizneseve në vend, Oda e Afrizmit të Kosovës përmes takimeve të tilla ka për synim eliminimin e barrierave që hasin bizneset gjatë operimit. /2LONLINE/