Paska qenë datë 16 gusht I vitit 1993, kur në mënyrë intuitive arrita te dy konkludime. Konkludimi i parë ishte se Jugosllavia e Titos si shtet sigurisht po shuhej dhe konkludimi i dytë ishte se me kolapsimin funksional të sistemit socialist në tërë botën po kthehej religjioni si manifestim shoqërorë i cili ishte nënshtruar apo përmbysur por jo edhe zhdukur, në vendet ku ideologjia komuniste kishte dominuar, përkundër kapitalizmit. shtete sikurse ishte Jugosllavia ku Kosova ishte gëlltitur.
Shkruan: Sami HALITI
Nuk është se nuk i besoj të njohurit intuitiv, por më duhet të them se i njëjti është mjaftë i pa shpjegueshëm nga aspekti shkencor, andaj si i tillë për mua edhe mjaftë i ndrojtur për të u shfaqur, kjo pasi që aftësia e argumentimit të të njëjtit më tepër është përshkruese dhe diskursive se sa argumentuese dhe e bazuar shkencërisht si dije pozitive. Andaj si duket këtu qëndron edhe arsyeja se pse pas kaq vitesh kam guxim të i shpalos këto konkludime të cilat erdhën në kokën time si rezultat i një sërë faktorësh qofshin kognitiv, historik, teorik, politik dhe analitik. Një anticipim apo imagjinatë sociologjike, siq do të thoshte Wright Mills.
Origjina e guximit tim të shpalosjes së këtyre dy konkludimeve qëndron edhe në ballafaqimin, thuaja të përditshëm me observimet e analistëve të shumtë të cilët plasohen në televizionet e shumta që i servohen publikut në Kosovë. Nga analizat e cekëta dhe jo përmbajtjesore të analistëve të cilët pas mbarimit të shkollave dhe niveleve te shkollimit qofshin edhe pasuniversitarë, arrijnë te përfundimet e famshme se ”Për mu zhvillu ky vend duhet me dashtë ” apo se “ Falë politikave të gabuara Millosheviqit Kosova fitoj pavarësinë” dhe habiten pse ka një kthim të manifestimit të religjionit në Kosovë.
Përderisa e vërteta është se edhe njëri konstatim edhe tjetri janë fals dhe të korruptuar nga aspekti moral dhe intelektual, sepse dashja e vendit është premisë fillestare morale edhe e njerëzve të pashkolluar por të ndershëm, përderisa pavarësia e Kosovës rrënjët i ka në luftën ndaj pushimit serb -të 1912-ës a jo në çfarëdo politike tjetër pas kësaj kohe e cila synonte akomodimin e shqiptarëve. Defekti i analistëve kontemporan kosovarë qëndron ose në mungesën e moralit të duhur për të e thënë të vërtetën apo në mungesën e njohurive historike dhe proceseve politike që kanë ndodhur. Ose në shtrembërimet e qëllimshme të tyre. Andaj edhe kthimi i manifestimit të religjionit në Kosovë mistifikohet dhe dramatizohet në absurd anksioziteti analitik dhe ekskludimi social.
Këta janë analistët e që në 70 për qind të pyetjeve që ju parashtrohen, përgjigjen e tyre e fillojnë me shprehjen“ Se di” , e pastaj duke mos ditur paditurinë e tyre, japin variantin e tyre shpjegues të shumtën fragmentar, jo sistematik dhe thuaja subjektiv, dhe i cili bazohet në përjetimet e tyre shqisore të ngjarjeve historike lidhur me te cilat i japin të drejtë vetes të japin gjeneralizime teorike pa ndonjë bazë justifikimi real.
Për të vazhduar aty ku fillova, pra me datën 16 Gusht 1993, më duhet zbuloj origjinën nga i kanë fillet e konkludimet të prezantuara. Kjo date është vdekja e një poeti të madh shqiptar si dhe amaneti apo testament që ai kishte lënë.
Nuk e konsideroj vetën njeri të duhur të jap vlerësime mbi figurën letrare dhe artistike bile as përmasat intelektuale të këtij poeti. Me gjithë faktin se i njëjti ishte poet ideologjikisht marksist, me ideologji jugosllave të pranuar në manifestimin e tij intelektual. Kam guxim vetëm të them se i njëjti ishte një intelektual i mirëfilltë dhe i konsoliduar, i cili kishte ndikim shumë të madh si edukatorë për klasën e intlektualëve shqiptarë të kohës dhe pa dyshimi ishte një patriot o cili e donte popullin, rrjedhimisht kombin e tij. Përndryshe ai nuk do të shkruante poezinë “O vëlla me sharrë në krah”.
Fjalën ë kam për poetin e mirënjohur Esad Mekuli.
Unë nuk e di a jam i vetmi i cili e ka vërejtur këtë fenomen që do u prezantoj tani, por pa dyshim i njëjti është i vërtetë. Do te doja të përgënjeshtrohem me argument nga kushdo që e mohon. Ashtu sikurse nuk do të doja që familjes së të ndjerit të i shkaktoj shqetësime me këtë evokim timin.
Duke qene se ishim ne agun e ardhjes së pluralizmit, dy tri vjet pas formimit të partive alternative ne raport me Lidhjen Komuniste Jugosllave, nga ku pa dyshim ishte i ndikuar edhe vet Esad Mekuli, i njëjti, ashtu siç dinë të bëjnë poetët në përgjithësi, unë supozoj se, sigurisht para vdekjes së tij, bëri aktin e vetëdijshëm d.m.th me vullnetin e tij, ku kishte lenë amanet që arkivolit të tij të i bëhej falja e xhenazes në njërën nga xhamitë e Prishtinës, dhe i njëjti të varrosej më rite dhe tradita islame.
Këtë e bënte një poet me ideologji marksiste.
Kjo edhe ndodhi.
Pastaj Gazeta “Bujku” lajmëroi saktësisht këtë që përshkrova më lartë.
Esad Mekuli, njeriu me të cilin mundë të krenoheshin edhe jugosllavizmi e edhe ateizmi, kishte bërë të kundërtën e asaj me të cilën ishte identifikuar tërë jetën.
Simbolikisht ky ishte një akt shumë i veçantë, i cili, me apo pa qëllim, u hesht nga intelektualët eunuk të Kosovës. Akti ishte një poezi e përkryer si simbolikë sociale, si akti i fundit i gjakimit në këtë botë. Në fakt, Esadi vetëm e ridimensionoi brengën e vet për vëllezërit e tij “me sharrë në krah” të një komunitet edhe më i gjerë, të cilët sot po dalin në pah gjithnjë e më shumë. Njerëzit të cilët besojnë dhe kanë religjiozitetin e tyre të cilën e shprehin në apo brenda religjioneve të ndryshme. Pa e konsideruar këtë as si prapambeturi e as si injorancë të tyre.
Poetët janë të jashtëzakonshëm. Një varg i tyre jeton sepse ka mesazh real dhe konsistent. Moralisht të pranueshëm. Esadi e bëri këtë edhe me poezi edhe me këtë akt lidhur me botën, jetën dhe kuptimin e saj. Por edhe si një mesazh i të ardhmes.
Gjithçka tjetër pastaj është tautologji, sa i përket zhvillimeve shoqërore të Kosovë. Analizat që i hasim sot nga entuziast të ndryshëm, më tepër shpalosin paditurinë apo edhe pamoralin e tyre se sa diturinë dhe intelektualitetin e tyre.
Esad Mekuli nuk e la vetëm një mesazh. Funerali i tij ishte njëri nga ta. Ndoshta më i madhi.
Ajo çfarë mundë të thuhet, është se ai pa dyshim pati imagjinatë të pasur sociologjike të cilën ende nuk po mundë të e konsumojnë dhe deshifrojnë shumë analist. Ose po e anashkalojnë qëllimisht, sikurse bënë shumë nxënës të Esadit, sot nominalisht “lider historik” dhe “baballarë të kombit”.
Simbolika e Esad Mekulit flet shumë si anticipim i zhvillimeve shoqërore për ata që kanë sens për të i kuptuar ato. Dhe në qoftë se vërtet duan të i kuptojnë drejt ato.
Shpjegimet e mëtejme janë vulgarizime.
Ishte një ditë e zakonshme gushti, një vdekje e zakonshme e një njeriu në moshë, por që së paku për mua, la një mesazh të madh. Determinues për të kuptuarit e shoqërisë. Determinues për rikthimin e një rendi tjetër nga ai socialist. Zhvillimet e mëpastajme, dhe ato aktuale vetëm se renditen dhe zënë vend në këtë matricë apo shabllon që Mekuli e kornizoi, si anticipim të proceseve socio-politike në Kosovë.