Në Galerinë e qytetit të Gjilanit, ditë më parë, është hapur ekspozita kolektive, me punime të nxënësve të shkollës së artit pamor “Adem Kastrati”, në Gjilan. Roland Masurica, drejtor i shkollës, ka thënë se sot ndodhemi në ekspozitën e fundit për këtë gjysmëvjetor, aty ku të pranishmit po shijojnë kreativitetin dhe bukuritë që kanë sjellë nxënësit ndërmjet ngjyrës, vijës dhe formave bazuar në konceptet artistike, transmeton Portali 2LONLINE.com.
“Me këtë rast mësimdhënësit tanë po përmbushin edhe një obligim nga zotimet e tyre sepse çdo aktivitet mbanë vulën e tyre. Të rinjtë tanë tashmë kanë përcaktuar rrugëtimin e tyre mbi vlerat e edukimit cilësor, për një shoqëri demokratike. Sot nxënësit na treguan se janë të vetëdijshëm dhe të aftë për t’u përballur në të ardhmen me sfidat e tregun të punës dhe standardet e të shprehurit artistik”, ka shtuar ai, duke e falënderuar edhe drejtoreshën e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Denisa Limani, e cila u ka mundësuar nxënësve që t’i ekspozojnë punimet e tyre në Galerinë e qytetit.
Në anën tjetër, profesor Jeton Rexhepi, kryetar i aktivit profesional, ka vlerësuar punimet e nxnënësve, duke thënë se ato janë rezultat edhe i punës së nxënësve, por edhe i përkushtimit të profesorëve që kanë punuar me ta, transmeton 2LONLINE.com.
E veçanta e kësaj ekspozite, e pasur me punime, ishin maketat e dizajnit të enterierit, të punuara nga nxënësit e këtij drejtimi dhe veshjet nga metriale të ricikluara, të punuara nga nxënëset e drejtimit, dizajn veshjeje. Megjithatë, nuk kanë munguar as pikturat, skulpturat, fotograftitë artistike dhe veprat të dizajnit grafik. Ekspozita do të jetë e hapur deri më 20 dhjetor.