(2L ONLINE) – Nxënësit dhe personeli arsimor i Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës”, kanë shënuar sot ditën e shkollës me një varg aktivitetesh kulturore e artistike. Të pranishëm në këtë manifestim ishin edhe përfaqësues të lartë të strukturave komunale dhe mekanizmave tjerë që veprojnë në këtë komunë.
Duke marrë fjalën në këtë tubim solemnë, kryetari i komunës Sokol Haliti u shpreh se Gjimnazi që tani mbanë emrin Kuvendi i Lezhës, sikur se Lidhja ose Besëlidhja Shqiptare e Lezhës, që krijua me vullnetin e sundimtarëve të vendit, të cilët duke nxjerrë mësim nga përvoja e së kaluarës, përpara rrezikut që u kërcënohej nga pushtimi osman, lanë mënjanë divergjencat dhe vendosën bashkimin e forcave politiko-ushtarake dhe ekonomike të vendit, po ashtu edhe personeli i kësaj shkolle me punën dhe angazhimin e tyre kanë bërë që me punën dhe përkushtimin e tyre, ky institucion të jetë shtyllë e proceseve edukativo arsimore në komunën e Vitisë.
“Arsimi është investim kombëtar dhe si i tillë është i rëndësishëm për të gjithë, prandaj “kapitali më i vlefshëm është ai që investohet në njeriun”. Pra, njeriu si “kapital human” me aftësitë e tij intelektuale dhe fizike, është gjenerator i zhvillimit dhe investimi në përgatitjen dhe aftësimin e tij për ti bartur proceset zhvillimore që paraqet qëllimin më të lartë e më perspektiv.
Arsimi, nuk është vetëm i rëndësisë së ngritjes kulturore-arsimore e morale të popullit, por ai ka edhe rëndësi të veçantë në rritjen e vlerave materiale e ekonomike të vendit, sepse një kapital i këtillë i diturive që do të përvetësojë njeriu do të shndërrohet në një kapital frytdhënës. Andaj, ne si institucione komunale, në vazhdimësi jemi angazhuar që të krijojmë një ambient sa më cilësor për zhvillimin e një procesi edukativo-arsimor , si në mësimdhënie po ashtu edhe në mësim nxënie.
Në këtë kuadër, kemi investuar nëpër shkollat e komunës së Vitisë për të krijuar hapësira të mjaftueshme për nxënësit. Ndërkohë, jemi në hap me procedurat për ndërtimin e objekteve të reja shkollore në disa lokalitete, e posaçërisht atë të shkollës fillore “Halil Alidemaj” në Pozheran, që besojmë që së shpejti do të kompletohet me kushte karshi standardeve evropiane”, ka thënë kryetari Haliti.
Për historikun e shkollës foli drejtori i Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës” Gaspër Demaj, i cili ndër të tjerash edhe përmendi rezultatet dhe të arriturat e nxënësve të këtij institucioni.
Në fund u dha një program kulturo-artistik i përgatitur nga nxënësit, ndërkaq u publikuan edhe rezultatet e garave të diturisë, dhe u ndanë mirënjohje për më të dalluarit, ndërsa u bënë të ditur edhe nxënësit që do të përfaqësojnë shkollën në garat e mëtutjeshme./2L ONLINE/