(2L ONLINE) – Një grup i fëmijëve të Gjilanit, nxënës të shkollave fillore kanë realizuar të mërkurën një parakalim kundër dukurive negative në shkolla, që është mbajtur nën organizimin e OJQ-së “Psikoterapeutët në Veprim”. Ky aktivitet kundër dhunës, drogës, duhanit dhe sjelljeve tjera devijante, është mbajtur në kuadër të “Javës Ndërkombëtare Kundër Dukurive Negative.
Duke folur në tubimin para Teatrit të Qytetit, ku ka përfunduar parakalimi i nisur nga shkolla fillore “Selami Hallaqi”, drejtoresha e kësaj organizate, Sevdije Musliu, ka thënë se këta nxënës, duke reaguar në përputhje me të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet tjera në fuqi, në harmoni të plotë edhe me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve janë bërë bashkë me ne sot për të paraqitur shqetësimet e tyre ndaj këtyre dukurive, duke i ftuar të gjithë që të së bashku t’i zgjidhim ato.
Musliu tha se aktiviteti i sotëm është më tepër një thirrje për vetëdijesim kundër dhunës, kundër përdorimit të substancave narkotike dhe kundër trafikimit me të miturit.
Në emër të organizatës “Psikoterapeutët në Veprim”, Sevdie Musliu ka premtuar partneritet me nxënësit e komunës së Gjilanit dhe të gjithë të tjerët në Kosovë, për të promovuar projekte dhe mundësi për zgjidhjen e këtyre problemeve.
Në emër të kryetarit të Komunës dhe Kuvendit Komunal aktivitetin e ka përshëndetur kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi.
“Sot ju fëmijë të dashur me këtë protestë simbolike po e luftoni dhunën, drogën, duhanin etj., dhe kjo është një kënaqësi që ju shoh këtu. Me këtë protestë simbolike, ju i jepni mundësi të tjerëve që të vetëdijesohen dhe të largohen nga këto dukuri negative, të cilat e shkatërrojnë shoqërinë. Ju inkurajoj që këso organizime të vazhdoni të bëni edhe më tutje. Komuna e Gjilanit gjithmonë do të mbështesë iniciativat e tilla”, tha kryesuesja Bunjaku Rexhepi.
Përfaqësuesja e nxënësve Anduena Poroshtica ka thënë se me anë të kësaj proteste dëshirojmë të sensibilizojmë secilin se dhuna dhe droga nuk janë zgjidhja e problemit, por fillimi i problemit. /2L ONLINE/