“Lajme shumë të mira për komunën tonë”, është shprehur kreu i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, duke iu referuar të dhënës se nga mostrat e fundit të marra për testim nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, të gjitha kanë rezultuar negative.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se sot nga 16 mostra të marra në Komunën e Kamenicës të gjitha kanë rezultuar negative. 11 testime janë bërë për personat që ishin pozitiv me COVID-19, dhe që pritet që nesër të ritestohen për të parë nëse janë shëruar plotësisht.
Ndërsa pesë testime janë bërë të reja dhe kanë rezultuar negative ndaj virusit SARS-CoV-2.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati këtë e ka cilësuar si lajm të mirë dhe për këtë ka falënderuar të gjithë qytetarët për bashkëpunimin.
“Shpresoj që trendi i numrit të të shëruarve të rritet akoma ditëve në vijim. Edhe pak na mbeti deri në normalitet. Faleminderit për bashkëpunimin gjithë qytetarëve”, ka thënë Kastrati.
Numri i të shëruarve në Komunën e Kamenicës momentalisht është 17, ndërsa raste aktive janë 21.