(2L ONLINE) – Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje organizuan sot një aksion duke vendosur në rrethojat e Qeverisë pankartën “Ky është kufiri që duhet kaluar, e jo ai në lumin Tisa në Hungari”. Aktivisti Frashër Krasniqi tha se këtë aksion e organizuar me rastin e ditës së emigrantëve, megjithëse në Kosovë kohëve të fundit çdo ditë është bërë ditë e emigrantëve.
“Derisa brenda këtij objekti të kësaj qeverie, SHIK-u, bashkë me Listën Serbe dhe Isa Mustafën janë duke thurur plane se si ta degradojnë edhe më shumë ekonominë e këtij vendi, si ta rrisin edhe më shumë varfërinë dhe papunësinë në këtë vend, si ta ndajnë edhe më shumë politikisht këtë vend, si ta pasurojnë edhe më shumë veten dhe familjet e tyre, nëpër stacionet e autobusëve nëpër Kosovë me qindra qytetarë të dëshpëruar të këtij vendi po e braktisin Kosovën”, tha Krasniqi.
Ai më tej shtoi se secili person e ka të drejtën e ikjes nga mjerimi, por secili person, dhe në përgjithësi shoqëria jonë, e ka për detyrë të rebelohet ndaj kësaj qeverie, qeveri përmes së cilës pushtetarët për ta pasuruar veten dhe familjet e tyre, janë të gatshëm ta varfërojnë të gjithë popullin e Kosovën.
“Emigrantët janë pjesa më e nëpërkëmbur nëpër të gjitha vendet e Evropës. Sot Evropa për shqiptarët e Kosovës është e hapur vetëm si kamp në Hungari ose në Francë. Prandaj, shqiptarët e Kosovës duhet të përpiqen ta bëjnë ndryshimin në vendin e tyre, në të vetmin vend ku ata mund të jetojnë me mirëqenie dhe me të ardhme më të mirë nëse angazhohen paraprakisht për ta ndërruar këtë Qeveri. Qeveria e Kosovës është e interesuar që në këtë vend të ketë dëshpërim dhe ikje. Kjo Qeveri e Kosovës është e interesuar ta humb shpresën tek qytetarët. Qytetarëve të Kosovë iu duhet një shpresë e re, jo një shpresë që bazohet në këta politikanë që janë të gatshëm të bëjnë çfarëdo intrige dhe tradhtie vetëm sa për ta marrë pushtetin për vete, por një shpresë që bazohet në forcën e qytetarëve dhe në angazhimin e tyre për ta ndryshuar gjendjen”, u shpreh Krasniqi.
Përmes kësaj pankarte iu bëjmë thirrje qytetarëve që ta kalojnë këtë kufi të vendosur mes qeverisë dhe qytetarëve, sepse vetëm duke u organizuar e mobilizuar për ta kaluar këtë kufi dhe për ta rrëzuar këtë qeveri mund t’ia kthejmë shpresën këtij vendi. Vetëm në këtë mënyrë mund t’i mbajmë të rejat dhe të rinjtë brenda Kosovës. Sigurimi i mirëqenies për të gjithë në këtë vend bëhet duke u angazhuar të gjithë përmes protestave, demonstratave dhe mënyrave tjera të organizimit, në rrëzimin e kësaj qeverie./2L ONLINE/