Në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit ‘Hidromorava’ në Gjilan u mbajt një diskutim publik për Procesin Tarifor 2018-2020, për çka sipas prezantimit të përfaqësuesve nga Autoritetit Rregullues i Ujërave në Kosovë, ende nuk dihet nëse tarifat janë në rritje apo ulje, kjo pasi po procedojnë me të dhënat e secilës Kompani Rajonale të Ujit në vend.
Menaxhmenti dhe zyrtarë të Hidromoravës, përfaqësues të Komisioneve të Këshillave të Konsumatorëve nga të pesë komunat e regjionit të Anamoravës, ishin pjesë e këtij debati, ndërsa, për të përshkruar procesin tarifor 3 vjeçar, karakteristikat e këtij procesi, planet e Autoritetit Rregullues, të dhëna financiare, shpenzimet operative, investimet kapitale si dhe detaje të tjera folën përfaqësuesit e ARRU-së.
Ushtruesi Detyre i Departamentit të Tarifave pranë ARRU-së, Hysni Feka, teksa prezantoi në detaje pika të platformës së Procesit Tarifor, theksoi se pothuajse në çdo Kompani Rajonale ndër vite ka rritje të shpenzimeve të ujit dhe ujërave të ndotura, rritje në inkasim, rritje të investimeve kapitale, sikurse edhe rritje të konsumatorëve.
Ai shtoi se nuk kanë një vendim për tarifat e asnjë kompanie, pasi ato do të vendosen pasi të kenë bazën e të dhënave të përgjithshme nga të gjitha Kompanitë Rajonale në tërë vendin.
“Për me i përcaktua tarifat ne po punojmë mbi një model, i cili përbëhet prej dy fletëve të punës. Biznesplani rregullator i kompanive të ujit, i cili mbështetet në planet e kompanive të ujit, respektivisht, të menaxhmentit të kompanive dhe më pas harmonizohet me Autoritetin Rregullator të Ujërave. Pastaj, është modeli për caktimin e tarifave, i cili i përpunon të dhënat dhe automatikisht nxjerr tarifën për secilën kompani. Deri në momentin kur I kemi të gjitha të dhënat e fundit të gjeneruara nga secila kompani dhe kur finalizohen të gjitha të dhënat për biznes planin rregullator atëherë e dimë saktë tarifën për kompaninë e caktuar regjionale të ujit”, ka thënë Hysni Feka.
Ndërsa, Zëvendës Drejtor i Agjensionit Rregullues, Xhelal Selmani, ka thënë se procesi tarifor ka filluar tash e katër muaj, ndërsa në të përfshihen të gjitha të dhënat në baza vjetore dhe për çdo vendim presin edhe opinione dhe plotësime nga Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit nëpër gjithë Kosovën.
Ndërkaq, Drejtori Ekzekutiv i Kompanisë Rajonale “Hidromorava”, Muhamet Suliqi, tregoi se tashmë kjo kompani ka paraparë zgjerimin e zonave rurale, menaxhimin edhe të katër komunave të reja, prandaj do të ketë rritje të shpenzimeve, rritje të konsumatorëve, rritje të sasisë së uji e të furnizimit.
Kurse, Drejtori Teknik në këtë kompani, Mumin Morina, theksoi se kjo kompani tashmë ka arritur marrëveshjet për menaxhimin të katër komunave të reja të tjera, atë të Ranillugut, Parteshit, Kllokotit dhe Novobërdës.
“Me zgjerimin e kapaciteteve ka edhe një ndryshim në aspektin financiar, sidomos në rritjen e shpenzimeve me menaxhimin edhe të komunave të reja” ka sjell statistikë Merita Dauti, Zyrtare e Larte Financiare pranë Kompanisë ‘Hidromorava’.
Sipas Ligjit për Rregullimin e Shërbimeve të Ujit, Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit – ARRU, ndër të tjera është përgjegjës për caktimin e tarifave ttë ujit dhe ujërave të ndotura. Aktualisht, në Kosovë ekzistojnë shtatë Kompani Rajonale të Ujësjellësit (KRU), të cilat janë të përqendruara në qendrat e mëdha urbane. Këto plane dhe tarifa caktohet në baza tri vjeçare dhe në bazë të politikave tarifore që ARRU ka aprovuar, tarifat për secilën KRU janë uniforme në tërë zonën e shërbimit.
/Elife Sherifi/