Seanca e sotme e Kuvendit Komunal të Gjilanit në të cilën ishte paraparë të vazhdohet me pikat e mbetura nga seanca e VI e Kuvendit Komunal të Gjilanit, e ndërprerë javën e kaluar për mungesë kuorumi, është ndërprerë për momentin dhe nuk po mbahet as sot pikërisht për mungesë kuorumi.
Në fakt, kur sekretaria filloi të evidentojë prezencën e anëtarëve prezentë në sallë, në të cilën po mungonin shumica e anëtarëve të Vetëvendosjes dhe partnerët e saj, ishin të pranishëm 19 anëtarë që përbëjnë shumicën nga 35, sa i ka Kuvendi, por se aty ishin të pranishëm edhe dy anëtarë të Vetëvendosjes dhe një i AKR-së.
Siç dihet opozita tani ka shumicën në Kuvend, por se i mungonin sot disa anëtarë, dhe se me tu parë se kuorumi po bëhet pikërisht nga prania e anëtarëve të Vetëvendosjes, Ismajl Kurteshi doli nga salla duke thënë se nuk do t’ia bëjë ai kuorumin, pasi bashkë me të doli edhe anëtarja tjetër e Vetëvendosjes dhe e AKR-së.
Tani, anëtarët e LDK-së të PDK-së dhe AAK-së, po qëndrojnë në sallë në pritje të anëtarëve të subjekteve të tyre që të vijnë në sallë për ta bërë shumicën. /2LONLINE/