Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka reaguar lidhur me akuzat drejtuar presidentit, Hashim Thaçit dhe liderit të PDK-së, Kadri Veselit duke shprehur bindjen e plotë në pafajësinë e tyre.
Ja postimi i plotë:
Një gjë është fare e qartë:
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe e drejtë! UÇK-ja është jo vetëm pika më e lartë e përpjekjeve historike të popullit të Kosovës për liri e vetëvendosje, por edhe kapitulli më i lavdishëm i historisë sonë kombëtare. PIKË.
Prandaj, sot, duke qenë krejtësisht të bindur në pafajësinë e tyre të plotë e duke njohur me nderim të thellë punën e tyre në shërbim të kombit shqiptar e vlerave njerëzore, mbështetje e pakursyer për Hashim Thaçin e Kadri Veselin, gjithnjë duke kujtuar kryelartë e ballëhapur gjithë historinë e ndritur e të paqtë të USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS!
Atë që mund ta mbulojë mjegulla e politikës ditore, nuk mund ta fshehë kurrë as historia: krenar me punën e tyre për çlirimin e Kosovës dhe ndërtimin e shtetësisë së saj që nga themeli. Kaq.
Mirënjohje, nderim e krenari, natyrisht, për çdo pjestar të UÇK-së për shërbimin e pastër ndaj vendit dhe qëndrimit në faqen e bardhë të historisë.
Mbase në botë mund të ndodhin shumë çudira, por nuk ka asnjë forcë mbi rruzullin tokësor që mund ta rishkruajë historinë, njollosë UÇK-në, a tjetërsojë përpjekjen e popullit shqiptar për drejtësi dhe çlirim!
NDERIM UDHËHEQËSVE TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS