/2L ONLINE/ – Kuvendi Komunal i Gjilanit vendosi të martën të mos e nxjerrë fare në votim propozim-vendimin për ndryshimin e statutit, meqë subjektet politike nuk arritën konsensus. Nisma për ndryshimin e statutit, si nevojë për t`i hapur rrugë riorganizimit të ekzekutivit, përkatësisht rikthimit në dy drejtorive komunale, Kulturës, Rinisë e Sportit dhe Inspekcionit, është bërë nga kryetari i Komunës dhe në procedurat paraprake është përkrahur nga të gjitha subjektet politike.
Valentina Bunjaku Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se mungoi vullneti politik për t`i miratuar ndryshimet, të cilat bëhen për të rikthyer dy drejtori komunale – Drejtorinë për Kulturë, Rini e Sport si dhe Drejtorinë e Inspekcionit.
“Unë jam konsultuar paraprakisht me shefat e grupeve politike dhe ata kanë qenë për këtë ndryshim, prandaj edhe e kemi proceduar në Kuvend, por tani janë kundër”, ka thënë ajo, duke rikujtuar se opozita, e cila ka qenë kundër shuarjes së këtyre dy drejtorive, tani del kundër kthimit të tyre.
Bunjaku-Rexhepi ka thënë se të gjitha sqarimet janë dhënë deri tani dhe anëtarëve të Kuvendit u është dorëzuar edhe një arsyetim me shkrim.
Reduktimi i numrit të drejtorive komunale si dhe modifikimi i disa shërbimeve në kuadër të administratës komunale, ishte bërë me qëllim të depolitizimit të këtyre sektorëve.
“Ne vlerësojmë se ka pasur rezultate në këta sektorë, por jemi të vetëdijshëm se kemi mundur edhe më shumë, prandaj në funksion të këtij qëllimi të mirë, kemi vendosur që të rikthejmë këto dy drejtori”, ka thënë Bunjaku-Rexhepi, duke nënvizuar se këto ndryshime nuk lidhen me mandate politike, por me interesa të qytetarëve dhe të institucioneve komunale.
Opozita vendosi të mos marrë pjesë në këtë proces. Sahit Abazi (PDK) ka thënë se grupimi i tij politik ka qenë kundër shuarjes së dy drejtorive. “As sot nuk jemi kudër kthimit të këtyre dy drejtorive, por nuk mund të jemi aleatë në votim me koalicionin qeverisës”, ka thënë ai.
Kurse Nevzad Isufi (VV) ka thënë se arsyetimi pse është i nevojshëm të bëhet ky ndryshim, nuk ka qenë serioz, ndërsa nuk është ofruar as raporti i kërkuar nga ne, për gjendjen në këta dy sektorë, gjatë periudhës së kaluar tre vjeçare, ka thënë ai.
Për dallim prej opozitës, subjektet tjera politike (LDK, AAK dhe G4), përfshirë edhe këshilltarin e pavarur Bajram Hasani, janë deklaruar në favor të këtij ndryshimi.
Selami Xhemajli (AAK) ka thënë se ky subjekt politik do të votojë çdo vendim që është në interes të qytetarëve të komunës së Gjilanit, edhe sikur të jetë në opozitë.
Avdyl Aliu (LDK) ka thënë se opozita po bën moral të dyfishtë politik, sepse atëherë ishte kundër shuarjes së dy drejtorive, kurse tani del kundër rikthimit të tyre. Aliu ka kërkuar të mos favorizohet interesi partiak, para interesit të qytetarëve, duke rikujtuar se LDK e kishte votuar ndryshimin e statutit në qeverisjen e kaluar.
Ismet Hajdini (G-4), ka thënë se AKR, PD, PDTK dhe një këshilltar i pavarur, grupim ky i sapo formuar, riorganizimi i ekzekutivit, përmes kthimit të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Drejtorisë së Inspeksionit, është interes i qytetarëve, prandaj do të votojnë për këtë ndryshim të statutit.
Megjithatë, kryesuesja e Kuvendit ka vendosur të mos e procedojë për votim propozim-vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e statutit të Komunës, pa konsensus politik.
Seanca e radhës pritet të mbahet në janar dhe deri atëherë, subjektet politike kanë kohë të mjaftueshme për të arritur konsensusin. /2L ONLINE/